“Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia, pasi përkeqësimi i grindjeve me komunitetin serb mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kurti ka përsëritur deklaratat e tij se në Kosovë mund të fillojë luftë. “Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të shndërrohen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën”, tha Kurti duke theksuar se “ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.
Ai shtoi: “Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej…mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.
Reuters duke folur për Kosovën, shkruan “vendi i vogël ballkanik pa dalje në det fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje guerile kundër sundimit represiv të Beogradit”.