MENU
klinika

Triumfi në Helsinki

Real Madrid i pangopur, rrëmben Superkupën e Evropës

10.08.2022 - 23:02

Real Madrid e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri. Kampionët e Spanjës triumfuan 2-0 në Superkupën e Europës ndaj Eintracht Frankfurt, në sfidën e luajtur në “Helsinki Olimpic Stadium”.

Sfida nisi e qetë, me Realin që kontrollonte topin dhe provonte të diktojë kohën e lojës, megjithatë ishte Knauff që dha shkëndijën e parë për gjermanët, por gjeti në gatishmërinë e portierit Courtois, që bëri një pritje të bukur.

Pak më vonë ishte reali që provoi me anë të Vinicius Junior, por këtë herë ndërhyri portieri Kevin Trapp, i cili dërgoi topin në këndore. Pikërisht prej këtu erdhi edhe goli që zhbllokoi ndeshjen, pasi Casemiro shërbeu me kokë për Alabën, i cili dërgoi topin në rrjetë.

Vetëm katër minuta më vonë, Benzema pati mundësi të dyfishojë avantazhi, pasi mori një pasim perfekt nga Kroos, por goditja e bomberit francez përfundoi jashtë, shumë pak centimetra larg shtyllës pingule.

Atë që nuk bëri në pjesën e parë, francezi e realizoi në minutën e 65-të, kur shfrytëzoi një asist të Vinicius për të shënuar golin e dytë dhe mbyllur llogaritë e ndeshjes. Vlen të theksohet se në pjesën e dytë Ancelotti aktivizoi edhe blerjet e reja si Tchouameni dhe Rudiger, ndërsa Reali konfirmoi se është gati për sezonin e ri.