Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë e një sulmi nga Serbia ndërsa thotë se Kosova është gati çdo përballje, pa frikë. Kështu u konfirmoi vetë ai gjatë një interviste për Reuters.
“Unë jam një kryeministër i përgjegjshëm dhe duhet t’u them të vërtetën qytetarëve të mi. Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë apo tjetrën, por do të ishte totalisht e papërgjegjshme që përballë gjithë këtyre politikave agresive të Beogradit të përjashtosh mundësinë e një konflikti të ri. Është i mundur”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës shfaqi shqetësimet për një përballje të armatosur, ndërsa tha se Kosova është e përgatitur t’i përgjigjet një sulmi të mundshëm, mes tensioneve në rritje me komunitetin serb në veri të vendit dhe se nuk ka frikë.
“Të kesh një autokraci si fqinj është problematike. Jemi vigjilentë dhe monitorojmë me kujdes zhvillimet. Kemi NATO-n dhe BE-në Kosovë, e pavarësisht se nuk jemi anëtarë, nuk kemi frikë. Kemi institucionet, organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe Kosova është një shtet tani. Nuk është më viti 1998. Është viti 2022 dhe ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Kurti.
Kurti akuzon gjithashtu Rusinë, që është aleati kryesor i Beogradit dhe ka vendosur veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, se po nxit tensione të reja etnike në vendin e tij.
“Putini despotik është një njeri lufte dhe do të kishte interes ta përhapte luftën pasi ai do ta normalizojë atë, luftën agresive”, tha Kurti.
Edhe pak ditë më parë, Kurti ka thënë për ‘La Repubblica’ se një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rindezën pas ngjarjeve në veri të Kosovës më 31 gusht, ku serbët lokalë vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, si edhe sulmuan policinë. Ata morën shkas nga marrëveshja për reciprocitetin e targave që supozohej të hynte në fuqi më 1 gusht.
Por, për shkak të tensioneve, Kurti vendosi që të shtyjë një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi. Takimi i radhës do të bëhet më 18 gusht në Bruksel.