MENU
klinika

Investigimi i BIRN

Qeveria fshehu për dy vjet zgjatjen e afatit për rrugën e Arbrit

11.08.2022 - 20:15

Më 2 gusht, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku njoftoi shtyrjen me 17 muaj të afatit të punimeve për rrugën e Arbrit – një projekt koncesionar që pritet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 40 miliardë lekë [330 milionë euro].

E parashikuar për t’u dorëzuar në prill 2022, kontrata e rrugës së Arbrit pritet tashmë të përfundojë në shtator të vitit 2023. Sipas Ballukut, shkak i shtyrjes së afatit ishin bërë problemet gjeologjike.

“Mbetet për t’u dorëzuar tuneli i Murrizit, i cili na ka vendosur përpara një vështirësie shumë të madhe përsa i përket gjeologjisë dhe na është dashur të shikohet i gjithë projekti…,” deklaroi Balluku në një aktivitet publik.

Por të dhënat e siguruara nga Ministria e Infrastrukturës tregojnë se projekti teknik për tunelin e Murrizit dhe afati i dorëzimit të rrugës u ndryshuan që në vitin 2020; por ato iu mbajtën të fshehura për gati 2 vjet publikut.

Për më tepër, në një ceremoni inaugurimi të mbajtur thuajse një vit pas ndryshimit të afatit, ministrja Balluku deklaroi në prani të kryeministrit Edi Rama se rruga pritej të përfundonte në prill 2022 – një deklaratë kjo jo vetëm e pabazuar, por në dukje edhe qëllimisht e pavërtetë.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ndryshimi teknik i projekt-zbatimit për tunelin e Murrizit u miratua më 20 tetor 2020, pas rekomandimit të supervizorit të rrugës.

“Me miratimin e projekt- zbatimit të ndryshuar është miratuar dhe shtesa e afatit,” tha Ministria, ndërsa theksoi se vendimi është marrë bazuar në vlerësimet e një inxhinieri të pavarur, Institutit të Ndërtimit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Rama dhe Balluku u pritën me tupanë dhe me fëmijë të veshur me kostume popullore në hyrje të tunelit të Murrizit më 29 nëntor 2021, ndërsa një tra prej betoni u ngrit në ajër në mënyrë simbolike.

“Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur,” premtoi Balluku.

E pyetur nga BIRN, Balluku tha përmes zëdhënësit se deklarata e saj ishte pjesë e vullnetit “për të ecur me ritme sa më të shpejta”.

“Ky deklarim është pjesë e vullnetit dhe përpjekjes së Ministrisë së Infrastrukturës për të ecur me ritme sa më të shpejta dhe për të përfunduar sa më shpejt rrugën, duke u bazuar në mundësinë që formacionet gjeologjike të ishin më të përshtatshme se ato të ndeshura deri në këtë fazë të ndërtimit,” tha Balluku.

Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Ndërtimi i saj është përdorur si një kalë beteje elektoralesh në qarkun e Dibrës prej vitit 2013. Pavarësisht problemeve në disa segmente, rruga është funksionale nëpërmjet bypassit të Qafës së Murrizit, në një lartësi mbi 1000 metra, ku kalohet me vështirësi kryesisht në dimër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rreziqet që shpesh prindërit nuk i vënë re

Investigimi/ Kambana alarmi mbi qasjen e fëmijëve në TikTok

Shuma që duhet t’i paguajë 3 fierakëve

BIRN: Shqipëria gjobitet sërish në Strasburg!


Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika