Inter e ka nisur mirë kampionatin, duke siguruar tri pikët e para, teksa fitoi 1-2 në fushën e Lecce-s. Një sukses i vuajtur, që erdhi vetëm në sekondat e fundit të takimit, por shumë me vlerë për zikaltrit.
Pas një pjese të parë të mbyllur me fitoren e Interit 1-0 me golin e Lukakut ende pa u mbushur 2 minuta lojë, Interi ka menaxhuar dhe i është afruar edhe golit të dytë, por pa mundur të gjejë rrjetën.
Megjithatë, Lecce ka rezistuar dhe skuadra e sapopromovuar në Serie A ka bërë një fillim vërtet pozitiv në pjesën e dytë. Pak minuta dhe ka ardhur goli i Ceesay që ngriti në kembe më shumë se 25 mijë shikuesit e pranishëm sonte në “Via del Mare”.
Ndeshja ishte e hapur deri në fund, me miqtë më shumë kërkues, të cilët shpërblehen vetëm në minutën e pestë të shtesës. Ishte Dumfries ai që heshti stadiumin pikërisht atëherë kur u besua se vendasin morën një pikë.