Plagosja e 46-vjeçarit Admir Bejo ditën e djeshme në Kuçovë, ka ndodhur pas një konflikti të çastit me një banor tjetër të lagjes “1 maji”.
Sipas News24, plagosja e tij nuk ka të bëjë me larje hesapesh, siç u dyshua fillimisht. Kjo pasi në vitin 2007, Bejo sëbashku me vëllain e tij, Ilia, plagosën me armë dy vëllezërit Kundja.
Sherri mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesës e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin.
Pas plagosjes, Bejo ka dalë nga banesa e autorit dhe në dalje është qëlluar edhe dy herë, por plumbat nuk e kanë kapur. Pasi ka ecur disa metra, 46-vjeçari ka rënë në tokë, pikërisht në vendin ku u gjet i shtrirë nga një kalimtar i cili njoftoi dhe policinë.
Mësohet se është identifikuar autori i plagosjes, shtetasi me inicialet E.R., 36 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që emri i autorit nuk bëhet ende publik.
Policia konfirmon se nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 fishekë, të kalibrit 7.62 mm. Burime nga lagjia “1 Maji” ku ishte edhe zona ku kishte lindur i plagosuri konfirmojnë se Admir Bejo ishte përdorues i rregullt i lëndëve të forta narkotike dhe për këtë arsye mashtronte e u merrte lekë borxh njerëzve që njihte.
Sipas banorëve të lagjes, Bejo kishte degraduar dhe konfliktohet me këdo që i dilte para, edhe pa asnjë shkak.