MENU
klinika

"Nderi i Kombit"

Shuhet regjisori i filmit të parë shqiptar

14.08.2022 - 16:58

         Është ndarë nga jeta, në moshën 89-vjeçare, kineasti i mirënjohur i një karriere të pasur brilante, shenjuese në kinematografinë shqiptare, Kristaq Dhamo. Ai mbylli sytë me 13 gusht, në një nga spitalet e Ankonës, Itali. 

Regjisor filmi, kritik i kinematografisë dhe pedagog, Kristaq Dhamo lindi në fshatin Libofsh të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji, duke vënë në skenë pjesën “Dëftesa e pjekurisë” nga K. Simonov, ku interpretuan regjisorët e ardhshëm të teatrit shqiptar: Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Mihal Luarasi.

Studimet universitare i kreu në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest, Hungari, më 1956 dhe fill më pas, u emërua në kinostudion “Shqipëria e Re”.

Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar, me metrazh të gjatë, “Tana”, që ishte gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Tjetër lami e pëlqyer e tij ka qenë edhe kritika artistike dhe studimet mbi dukuri, probleme të larmishme të filmit shqiptar dhe gjerazi të kinematografisë, ashtu sikundër edhe vlerësime për personalitetet më në zë, deri te recensionet dhe hartimi i zërave enciklopedike.

Mban titullin “Artist i Popullit” (1987).

Për shumë vite, ka qenë drejtor artistik në “Film Studio”. Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale.

Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i merituar” dhe në 1987-ën, është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI të filmit shqiptar, në vitin 2000, është nderuar me “Çmimin e karrierës”.

Në korrik 2021, Kristaq Dhamo u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributin e çmuar si regjisori i filmit të parë artistik në historinë e kinematografisë shqiptare dhe autori i shumë filmave me vlera të mëdha artistike. Me mirënjohje për meritat e mëdha, si udhëheqës artistik i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, pedagog i një plejade regjisorësh të rinj dhe përfaqësimin e denjë të kinematografisë shqiptare në arenën ndërkombëtare”.

 

*Fotografia kryesore: Momente pune nga filmi i parë artistik shqiptar TANA (1958), dhuruar AQSHF-së nga Agim Fortuzi –  operatorët Mandi Koçi & Agim Fortuzi.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen