Ngjarjet e rënda që tronditën vendin muajin e fundit në zonën e Fushë-Krujës dhe të Milotit duket se nuk mund të vijojnë më të jenë në duart e prokurorëve të prokurorive të rrethit.
SPAK-u mësohet se ka tërhequr njërën nga dosjet e vrasjeve mafioze për të mundësuar hetimin e plotë të saj. Bëhet fjalë për atentatin ndaj Klisman Preçit dhe Ylli Brahimit, pasi SPAK-u pretendon që e ka një mundësi depërtimi në atë krim të rëndë, për sa kohë ka të mbijetuar nga atentati.
Ndërkohë që ende nuk dihet fati i dosjes së masakrës me tre të vrarë në Fushë-Krujë vetëm 5 ditë para se sa të zihej e njëjta pritë në Milot me një të vdekur dhe një të plagosur.
Po përpos këtyre dy ngjarjeve të rëndë të njëpasnjëshme, ekziston edhe një denoncim në policinë e Kurbinit nga ku është fiksuar fakti se Ervis Martinaj, personi i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për shkak të implikimit të tij në një grup të madh kriminal nga dëshmia e dhënë nga dëshmitari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ashtu si Policia, edhe prokuroritë respektive nuk kanë asnjë të dhënë në lidhje me dy ngjarjet që shënuan 4 viktima dhe një të plagosur në muajin korrik. Ata mundën të gjenin vetëm 3 makina të djegura në vende të ndryshme dhe disa armë me të cilat janë kryer dy krimet e rënda.
Tashmë, SPAK-u pritet që të paktën të arrijë të hedh dritë mbi motivet e këtyre ngjarjeve për të bërë të mundur të paktën parandalimin e vijimit të hakmarrjes mes grupeve kriminale.
DOSJET
Me 22 korrik, në Milot u shënua një atentat mafioz me një viktimë dhe një të plagosur. Breshëria e plumbave la të vdekur 27-vjeçarin Klisman Preçi, ndërsa biznesmeni Ylli Brahimi u plagos rëndë me disa plumba por mundi të mbijetonte.
Pothuajse një muaj pas atentatit SPAK mësohet se ka marrë në dorë çështjen pasi prokuroria e Kurbinit e klasifikoi atë si një atentat të kryer nga një grup kriminal. Bëhet me dije se dosja është tërhequr disa ditë më parë dhe veprimet po kryhen nga prokurori i SPAK-ut, Altin Dumani.
SPAK-u po kalon në sitë të gjithë kundërshtarët e Ylli Brahimit që besohet se ishte shënjestër e atentatit, pasi pretendohet se Brahimi është mik i Ervis Martinajt.
Brahimi bashkë me Preçin udhëtonin me një makinë të blinduar, ndërsa ranë pre e një prite të mirorgnizuar. Prokuroria lokale pretendon se bëhet fjalë për një grup shumë të fuqishëm kriminal në zonën e Laçit, dhe dyshohet se ngjarja ka ndodhur për prishje të pazareve në aktivitet e tyre kriminale kohëve të fundit.
Klisman Preçi dhe biznesmeni Ylli Brahimi u qëlluan me 100 plumba teksa ishin duke qarkulluar me një mjet tip “Toyota” e blinduar, e cila është ndjekur nga pas nga atentatorët.