MENU
klinika

Shërbimi ndaj klientit?

Ndodh çudia! “Shqiptarçe” edhe në Australinë e largët

17.08.2022 - 19:45

         Ende në sezonin e pushimeve. Gushti shënon pikun e turistëve. Shqipëria po trumbetohet nëpër shumë medie të huaja, si një thesar i zbuluar rishtas. Një oaz qetësie. Plazhe të pashkelura. Mikpritje… dhe pikërisht këtu, merr kthesë panorama deri ekzotike, shqiptare! Si vend mesdhetar, ne numërojmë pa fund, burime natyrore dhe relieve që thyhen në mënyrë spektakolare brenda një sipërfaqeje kaq të vogël. I duam dhe respektojmë mysafirët, por kjo nuk na shpëton nga “kodi i heshtur” i shërbimit në restorante, bare, apo qoftë edhe në zyra etj. Pra, ne nuk jemi dhe aq të “përulur”, sa për të shërbyer me gjithë zemër e plot edukatë… 

Pa e zgjatur, ky “model” po praktikohet në Australi. Por, jo për të njëjtën arsye, si në Shqipëri, mos u gënjeni… Atje (supozohet), ka njerëz të “lodhur” nga etika. Ndaj, në restorantin “Karen’s Diner”, në Sidnej, shërbimi është një katastrofë e vërtetë. Kamerierët e pasjellshëm, bërtasin dhe u hedhin menutë klientëve.

Të kesh një përvojë të tmerrshme, kjo është e gjithë ideja e restorantit.

“Është një nga këto ide, që ju, thjesht mendoni se ‘mund të funksionojë dhe na befasoi, sepse njerëzit duan të trajtohen kështu, me sa duket”, – thotë Mitch Ransley, menaxheri i lokalit.

“Atyre u pëlqen t’u bërtasin kamerierëve, ndërsa kamarierët u bërtasin klientëve”.

Pse u pëlqen njerëzve, “Karen’s Diner”?

Mungesa e një sjelljeje formale, duket diçka interesante edhe për klientët.

“Shumë restorante të Sidneit, janë shumë formale. Duhet të vishesh sipas një kodi, je i detyruar të përdorësh fjalë, si: “të lutem dhe faleminderit”. Ndërsa në “Karen-s Diner”, çdo njeri mund të jetë vetvetja, apo versioni më i keq i vetes”, – shton, Ransley.

Por, ka rregulla bazë: stafi, nuk mund të tallet me personat me aftësi të kufizuara, të bëjë komente raciste, apo seksiste.

“Nëse nuk bëni asgjë me qëllim, shkoni dhe argëtohuni”, – thotë Elizabeth McDonald, një nga klientet e restorantit.

Kamarierët thonë se për ta, kjo është puna më e mirë në botë.

“Mund t’i them çfarë të dua klientit dhe nuk ka asnjë problem”.

Si reagojnë klientët, ndaj kësaj përvoje “të vrazhdë”?

Klientët, aty shkojnë për “abuzimin”.

“Të gjithë ata, më kanë bërë të pendohem pse jam vegane”, – thotë një nga klientet.

Restoranti, fillimisht u hap si një hapësirë e vogël, në tetor 2021, por mania e “Karen’s Diner” po përhapet me shpejtësi.

Janë hapur sakaq, degë të këtij retoranti atipik, në Melburn dhe Brisbane, në Australi dhe në Sheffield, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ka plane edhe për dy vende të tjera, në Perth dhe Gold Coast, me prenotime tanimë të plotësuara.

Ndërsa në Shqipëri, pa e ditur ose shpallur, “të tilla katastrofa” i kemi prej kohësh mes nesh…/Konica.al