MENU
klinika

Të pathënat e albanologut

Dorëshkrimi i Injac Zamputtit: “Refuzova pa mëdyshje…”

18.08.2022 - 13:51

       “Dikur kam firmosur një dokument pa m’u dridhur dora. U kam thënë “jo” zyrtarëve të sigurimit që deshën me më rekrute në gjurmim të profesor Eqerem Çabejin. Isha i vendosur te Zoti. Pranova me vdek, por me ra në atë humnerë kurrsesi. Hijet e asaj mbrëmje të zezë më ndoqën gjithë jetën…”

Nga: Afrim Imaj

I kanë mjaftuar pak rreshta albanologut të njohur për ta hedhur në letër brengën torturuese. Pastaj dorëshkrimi me përjetimet nga përplasja me hafijet e errësirës, ka gjetur strehë në njërën nga dosjet e rezervuara dhe ka “fjetur” aty për vite me radhë.

Të zbardhura me “Olivettin” e vjetër kujtimet do të mbeteshin fund e krye personale. Nuk foli për to me njeri Zamputti sa ishte gjallë, madje as kur ndërruan motet. Vonë, shumë vonë, shënimet e profesorit të albanologjisë do të zbuloheshin nga familjarët e tij. Po si e përshkruan Injac Zamputti ngjarjen e panjohur dhe në çfarë rrethanash “zhgënjeu” zyrtarët e sigurimit të shtetit…

DORSHKRIMI

“Viti 1949 ka qenë për mue ma i randi i jetës sime. Edhe vitet që do të vijnë, nuk do të jenë ma të lehta për mue e për familjen teme… Në tetorin e atij viti të zi (por a pati pastaj ndonjë vit të bardhë për mue?!) një djalë hyni në jetën teme për me e ba edhe ma të zezë.

Kur po shkoja rrugës në atë mbrëmje të errët, m’u afrue nga pas një hije si të ishte hija e trupit tim në rrezë të hanës. Në një qoshe të rrugës, pranë ish-Pallatit të Zogut, hija lëshoi za. Ndalova dhe u gjeta ballë për ballë me atë djalë.

Me ftoi që të shkoja me të në një drejtim tjetër. Në krye të rrugës së “Barrikadave” takuem një burrë të pjekun që po na priste. Gjithë mirësi më vunë në mes dhe ecëm nëpër atë rrugë, në të cilën nuk bënte dritë asnjë llambë dhe hymë në rrugën “Qemal Stafa”, e cila ishte gjithashtu në errësinë të plotë dhe vetëm dritat e dyqaneve ndriçonin ndopak. Nisën të thuheshin disa fjalë të pakuptimta për mua.

Shumë vonë erdha në vete dhe kuptova humnerën ku donin me më plandosun. Unë tashma isha mësue të ulja kokën. Por në atë mbrëmje të zezë puna kishte shkue në fije të penit. Harrova nanë, grue, motër e fëmijë dhe ndalova hapin i vendosun për mos me ecë një metër ma tej, me ato dy hije që më ftonin të hyja në një apartament aty përballë.


Kambëngulja ime mos me u bindë i tronditi shoqnuesit që më dhanë me kuptue se, në raste të tjera, kishin dalë përherë fitues. Kur e panë se isha i vendosun edhe të vdisja, por jo të bindesha, më detyruen të lëshoja një deklaratë se nuk e pranoja propozimin qe m’u ba. Nuk pata asnjë ngurrim.

Në dritën e vitrinës së një dyqani shkrova fjalët që m’u diktuan, sigurisht me shprehjen negative për propozimin që m’u ba. Kjo deklaratë ndoshta do të gjendet në dosjen teme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe, nëse do të dalë në dritë, do të shihet se nuk më asht dridhun dora kur e shkrova.

Hijet e asaj mbramje të zezë më kanë ndjekun gjithë jetën. Edhe sot në pleqninë teme kur po thuhet se erdhën kohë të reja kujtimi i asaj mbramje më ban me u dridhë dhe më pengon që të them çdo gja me hollësi, sepse qeshë porositun me kërcënim që ta mbaja për vete atë propozim dhe, nëse jam gjallë ende, asht sepse fjalën e mbajta deri sot…

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen