Pavarësisht akuzave të opozitës në adresë të Bordit të Transparencës se nuk po mbron interesin qytetar, por edhe kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për shkrirjen e kësaj strukture, qeveria duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha dje se Bordi për monitorimin e çmimit të karburanteve do të vazhdojë të funksionojë.
Në një intervistë për “Tv Klan”, ministrja pohoi se nuk do të merret një vendim për shkrirjen e tyre për shkak, sipas saj, të paqëndrueshmërisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Për sa kohë që jemi në kushte të një pasigurie për ecurinë e çmimeve, të energjisë në përgjithësi dhe të karburanteve në veçanti, ne do të vijojmë të mbajmë bordet”.
Ibrahimaj siguron se marzhi i fitimit si për tregtimin me shumicë, ashtu dhe atë me pakicë, është i kontrolluar, ndërsa nëse bordi do të shkrihej abuzimet do të ishin të mëdha.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marzhet e fitimit në situata normale. Por, në situata spekulimi, në situata ku pritshmëritë dhe pasiguritë janë të larta, këto marzhe mund të rriten akoma më shumë”.
E pyetur përse nuk ka një reflektim të menjëhershëm të uljes së çmimit në pikat e tregtimit me pakicë në vend kur kjo ndodh në bursat ndërkombëtare ndërsa krejt e kundërta ndodh kur ka rritje të çmimit në këto bursa, Ibrahimaj shpjegon se bordi ka si pikë reference çmimet e naftës së përpunuar dhe jo çmim të naftës bruto në bursë.
“Mundohemi që sa herë që çmimi i bursës të ulet, të mblidhemi në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që e shtyjmë mbledhjen kur çmimet rriten me qëllim që çmimet në treg të jenë sa më të ulëta”.
E pikërisht me këtë fakt, sipas ministres së Financave, abuzon qëllimisht opozita e cila këmbëngul për shkrirjen e bordeve.
“Opozita në periudha krize kërkon të destabilizojë akoma më shumë. Në mënyrë të vazhdueshme i referohet çmimeve të naftës bruto, ndërkohë që luhatja e bursës së standardit që ne tregtojmë, nuk është e njëjtë me luhatjen e bursës së çmimeve të naftës bruto”.
Bordi i Transparencës, si për karburantet, ashtu dhe ushqimet, u ngritën në mesin e marsit me akt normativ për të kontrolluar tregjet në mesin e një krize ndërkombëtare të diktuar nga ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë.