MENU
klinika

Kategoritë që futen në testime

Datat për mbetësit e vjeshtës

22.08.2022 - 13:47

Ministria e Arsimit ka firmosur dokumentin me datat për provimet e sesionit të dytë të maturës shtetërore.

Ato do të nisin pas një jave dhe përfundojnë në 7 shtator me lëndën me zgjedhje. Janë me mijëra maturantë që nuk kaluan dot vitin shkollor e të tjerë që mbetën në njërin prej provimeve që ribashkohen në garën për të vijuar më tej universitetin, por vetëm pasi të kenë kaluar me sukses këtë fazë.

Si përbërja, kohëzgjatja ashtu dhe administrimi i tyre është i njëjtë me provimet e sezonit të parë.

Për tri provimet e para me detyrim ata kanë në dispozicion 2 orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 me përgjigje alternative që vlerësohen me 13 pikë dhe 12 pyetje me zgjidhje me në total 37 pikë. Tezat do të hartohen nga ekspertët e qendrës së shërbimeve arsimore dhe do të korrigjohen po nga ata. Matura e këtij viti, ashtu si të kaluara është e penalizuar dhe nuk do të ketë rivlerësim të testit.

Për mbarëvajtjen e provimit në datat e përcaktuara, nga shpallja e datave, mjediset dhe orën e provimit, duhet të kujdesen zyrat arsimore vendore.

Përpara se t’u drejtohen mjediseve për provime, të rinjtë mund të ballafaqohen me programet orientuese, prej nga ku mund të mësojnë disa nga çështjet më me rëndësi që do të trajtohen në secilën prej tezave.

Sipas QSHA, është një fond me mijëra pyetje, nga të cilat zgjidhet elektronikisht teza finale.

Të drejtë për t’u rifutur në provimet e vjeshtës e kanë katër kategori: ata që rezultojnë mbetës në një ose disa provime gjatë sezonit të parë në muajin qershor; ata që nuk arrijnë të kalojnë me sukses vitin shkollor, pasi rezultuan mbetës në një ose dy lëndë; maturantët e vjetër të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme dhe nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore si dhe ata që kanë përfunduar gjimnazin jashtë vendit, pasi të kenë njehsuar dokumentet shkollore nga ministria e arsimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN