MENU
klinika

"Grabitqari"

Universi femëror i Alfred Hitçkokut: magjepsja dhe dhuna seksuale

22.08.2022 - 16:44

        “Dashuria ime për kinemanë është më e madhe se morali” (Alfred Hitçkok)

Kaleidoskopi i dhimbjes, traumave dhe vuajtjes së grave në filmat e Hitçkokut është i pafund. Nuk mund ta pasqyronte natyrën misterioze të grave tjetërkush si ai. Shumica e personazheve të tij femra ndiqnin të njëjtin model: ato ishin bionde, me modele të përsosura flokësh, të sofistikuara, enigmatike dhe inteligjente. Megjithatë, pas këtij shkëlqimi fshihej edhe një obsesion, një kënaqësi e frustruar që shfaqej jo vetëm në filmat e tij, por edhe në jetën reale./Konica.al

Kanë kaluar gati katër dekada nga vdekja e tij dhe megjithatë, të shqiptosh emrin e Hitçkokut, do të thotë të rikthesh menjëherë në atë epokë të artë të kinemasë që na magjeps kaq shumë. Të paktë janë ata regjisorë, që kanë qenë po aq të shkathët për të trajtuar rrëfimin vizual, duke na mallëngjyer dhe duke na frikësuar në të njëjtën kohë, duke e shndërruar shikuesin në një soditës të vërtetë dhe duke shkuar përtej kufijve të gjithçkaje që ishte bërë deri më tani. François Truffaut thoshte, se vetëm ai ishte në gjendje të tregonte një histori dashurie si një vrasje dhe ta bënte atë të besueshme. Vetëm Hitçkoku ishte i aftë të krijonte një gjuhë vizuale me aq e aq kuptime psikologjike, për të na vendosur në territore të pashkelura deri më tani. Megjithatë, fare pak kineastë e kanë shpënë imazhin e gruas deri në atë cak, ku dhimbja është bërë papritur art, ku frika tjetërsimi dhe trauma janë vënë në skenë me mjeshtëri të jashtëzakonshme, duke kamufluar në një farë mënyre atë që po ndodhte edhe pas kamerave.

Një nga burimet më të njohura kinematografike të Alfred Hitçkokut ishte përdorimi i këtyre pamjeve me vështrim grabitqari. Dukej pothuajse sikur vështrimi i një perëndie po na ndihmonte që lart dhe papritmas qenia njerëzore eklipsohej dhe thuajse mjegullohej para misterit të jetës së përditshme. Një rrugë e shkretë pranë një fushe misri, ndërsa presim një autobus, një shesh lojërash ku disa zogj na vështrojnë nga linjat e energjisë elektrike… Në këto xhirime, personi ishte papritmas elementi më i cenueshëm, dikush që shikon përreth me shqetësim, dikush që edhe duke e ditur që rrethina e tij është e padëmshme, percepton një rrezik kërcënues. E njëjta gjë, sado guximtare të na duket, është ajo çfarë kanë përjetuar shumica e aktoreve që kanë punuar me Hitçkokun. Tippi Hedren e shpjegon më së miri në kujtimet e saj: “Ai ishte një sadist, një grabitqar seksual”, – citon në libër.

Përkushtimi i Alfred Hitçkokut ndaj grave bionde u shfaq tashmë në një nga filmat e tij të hershëm, “Flokët e artë” (1927). Në film, regjisori britanik plotëson një nga dëshirat e tij më të zjarrta: të tregojë një grua që gërthet, një grua e re që do të tërhiqte vëmendjen me flokët e saj të artë. Vite më vonë, ky përkushtim do të shndërrohet në obsesion të vërtetë, kur ai të fillojë të punojë me Grace Kelly-n. Shumica e impulseve të saj me të vërtetë janë kondensuar papritmas në brendësi të saj. Ai donte gra që evokonin atë që ai e quajti “seks indirekt”. Femra elegante, të sofistikuara dhe në dukje delikate, por që mund të imagjinoheshin të shndërruara në prostituta në dhomën e gjumit. Kjo dykuptimësi u dha filmave të tij magjepsje më të madhe dhe, nga ana tjetër, e lejoi atë të shfaqte ato sjellje abuzimi dhe ngacmimi, për të cilat ai nuk mori kurrë ndëshkime apo kritika. Askush nuk mund t’i prekte aktoret e tij. Asnjë aktor nuk mund t’u afrohej atyre, nëse nuk e lejonin kërkesat e skenarit. Çdo fustan, çdo krehje (madje edhe nuanca e të verdhës), ngjyra e këpucëve, gjesti dhe lëvizja janë studiuar më parë në milimetër nga Alfred Hitçkoku. Në mendjen e tij jetonte një model i shkëlqyer i idealit femëror, me të cilin të gjithë duhej të përshtateshin. E njëjta grua që interpreton rolet më komplekse, falë të cilave u bënë të njohura Grace Kelly, Vera Miles, Janet Leigh, Kim Novak, Doris Day, Eva Marie Saint dhe sigurisht Tippi Hedren./Konica.al

Në shumë prej filmave të Alfred Hitçkokut, kamera kënaqet duke parë dhimbjen femërore. Shihet në trupin e zhveshur të grushtuar të Leigh-it në “Psycho”. Dëshmohet kur Tippi Hedren u përdhunua nga i shoqi (Sean Connery) në muajin e tyre të mjaltit në “S’ka pranverë për Marnie”. Gjithashtu e sodisim atë në një nga skenat më emblematike në botën e kinemasë: kur Tippi Hedren sulmohet nga zogj të panumërt të uritur për dhunë dhe gjak. Kaleidoskopi i dhimbjes, traumave dhe vuajtjes së grave në filmat e Hitçkokut është i pafund. Ne i gjejmë këto nëna manipuluese dhe shpirtliga, gruan që vjedh, atë që gënjen, atë që tradhton dhe sigurisht faktin që burrat janë viktima të skemave të tyre. Për shembull, Norman Bates, i nënshtrohet një tërbimi edipal infantil, nën hijen e kësaj nëne xheloze ose Maxim de Winter, traumatizoi viktimën e veprimeve të gruas së tij, Rebekës. Këto portrete nuk përjashtohen nga njëfarë magjepsjeje në sytë e spektatorit, në sytë e çdo dashamirësi të mirë të kinemasë. Kjo kuprohet. Megjithatë, kjo kënaqësi e fshehtë e frikësimit dhe shfaqjes së anës më të errët dhe gjithashtu të pambrojtur të grave është shfaqur edhe pas kamerave. Për ç’ndodhi në këto grupe filmash, nuk dimë pothuajse asgjë.

Kemi vetëm dëshminë nga Tipi Hedren.

Pasi refuzoi atë që ishte pak më shumë se një rutinë në Hollivud (të bësh seks me regjisorët dhe producentët), kjo e fundit qe viktimë e ngacmimeve të vazhdueshme seksuale, sulmeve, survejimit, kontrollit më rraskapitës dhe, më e keqja për të: Alfred Hitçkoku arriti t’i shkatërronte karrierën artistike. Ai u sigurua që Hedren të mos mund të punonte për askënd tjetër, kështu që asnjë producent nuk do t’i trokiste në derë. Disa thonë se Norman Bates ishte thelbi i Hitçkokut. Dikush që ishte bllokuar në një moment traumatik në të kaluarën e tij, dikush që ndihej i viktimizuar nga gratë, nga ata demonë flokëverdhë intrigues, nga prezencat në dukje të pafajshme, por gjithmonë përtej mundësive të tij, prania gjithmonë e përsosur, por e ftohtë ndaj të cilave duhej të hakmerrej në një mënyrë ose në një tjetër./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pafajshëm në një botë fajtore

Alfred Hitçkok, thjesht… tmerrësisht i talentuar!


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen