Në ceremoninë e sotme, sportistja Luiza Gega e emocionuar dhe me zërin që i dridhur, u shpreh se ndihet më krenare se kurrë, ndërsa u theksoi se kërkonte t’i tregonte Europës që edhe një vend i vogël mundet të fitojë.
Pikërisht për këtë rrugëtim ajo foli gjatë fjalës së saj para të pranishmëve duke treguar pjesëmarrjen e parë në një kompeticion në Paris 12 vite më parë ku ishte zotuar se nuk do të kthehej më kurrë për të përfaqësuar vendin tonë.
Por pasioni e çoi përpara pavarësisht kushteve të vështira me të cilat i duhet që të stërvitej. Gega u shpreh se ka pasur oferta për të vazhduar rrugëtimin e saj edhe me shtete të tjera por i ka refuzuar ato.
“Para shumë vitesh kur kam marrë pjesë në një kampionat europian në Paris. Dola nga fundi dhe me diferencë. Kisha veshur ngjyrat kuq e zi dhe nuk isha ndjerë kurrë kaq keq. Dhe biseda me trajnerin ishte që kurrë nuk vij të përfaqësoj vendin tim. Doja të isha afër me konkurrentet e tjera. Aty isha ndarja se çfarë doja të bëja. Duhet të punoja shumë. Ishte një hap shumë i vështirë.
Dhe trajneri më tha që do të kërkojë shumë mund dhe sakrificë. Duhet të stërvitesha në shi dhe të ftohtë. Pavarësisht halleve familjare. Filluam të bëjmë hapa që më sollën këtu. Rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm. Kam pasur shumë vështirësi. Sportistët pësojnë edhe dëmtime që të kthejnë mbrapa.
Kam pasur edhe oferta për vazhduar me shtete të tjera por e dua këtë vend. Vërtetë e kam besuar që do vijë një ditë që vendi ynë do të ndryshojë. Kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar, por kemi ecur shumë përpara. Nuk është kurrë vonë nëse do t’ia dalësh”, tha Luiza Gega.
Ajo renditi disa falënderime për bashkëpunëtorët e ngushtë dhe veçanërisht familjen e saj. “Vendosa të vij kuq e zi sepse ndihem më krenare se kurrë. Jo për atë që arrita por doja t’i tregoja Europës që edhe ne mundemi. Familja ime ka sakrifikuar vërtetë shumë. Duke u munduar t’i bëj krenarë ndoshta sot ia kam arritur. Trajnerit tim. Faleminderit zoti kryeministër.
Ndihem e nderuar dhe e vlerësuar. Dua të them ato që ndjej. Nuk e kam ndjerë kurrë këtë krenari. Sporti kërkon pasion por mbështetja financiare është e rëndësishme të ecim përpara. Faleminderit kryetarit të bashkisë që ka qenë politikani që ka qenë më afër meje. Sporti nuk do t’ia dijë për politikë.
Ne duam ta bëjmë vendin tonë sa më krenar. Ju falenderoj për anën njerëzore dhe mbështetjen e vazhdueshme. Falenderoj shokët dhe kolegët e mi, Izmirin, Brikenin, Erklandin dhe presidenti i KOKSH. Ka sjellë një frymë të re për sportin shqiptar”, deklaroi ajo.