MENU
klinika

Takimi me përfaqësuesin amerikan

Haradinaj zbulon çfarë bisedoi me Gabriel Escobarin

24.08.2022 - 11:53

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se me përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë biseduar për gjetjen e një zgjidhje rreth shtrirjes së sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.

Në takim, kanë qenë edhe dy liderët e tjerë opozitarë, Memli Krasniqi (PDK) dhe Lumir Abdixhiku (LDK).

“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Tëitter.

Darka e Escobarit për liderët opozitarë është shtruar të mbrëmjen e së martës. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, sot do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.