MENU
klinika

"Zbatoni marrëveshjet e arritura"

Franca thirrje Kosovës dhe Serbisë

25.08.2022 - 11:25

Franca i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të dialogojnë me frymë kompromisi dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Kështu kanë thënë për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme e Francës të pyetur lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente të hyrje-daljeve.

Faktori ndërkombëtar ka disa ditë që po bën përpjekje për të gjetur një ujdi në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë për punën e targave dhe dokumenteve për hyrje-dalje.

Në kërkim të një zgjidhjeje për këto dy çështje, në Prishtinë po qëndrojnë dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak, të cilët do të vazhdojnë sot drejt Beogradit për takime me palën serbe.

Diskutime në frymë kompromisi dhe zbatimit të marrëveshjeve që tashmë janë arritur po kërkon edhe Parisi zyrtar.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet e një anshme që mund të çojnë në nxitjen e tensioneve.

“Ne iu bëjmë thirrje dy palëve që të vazhdojnë diskutimet e tyre në ditët në vijim në frymën e kompromisit, të zbatojnë marrëveshjet që tashmë janë arritur dhe të përmbahen nga marrja e çdo mase të njëanshme që mund të nxisë tensionet”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për Gazetën Express.

Nga Parisi thonë se mbështesin plotësisht përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së, përpjekje që “duhet të lehtësojë progresin drejt një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës kishte marrë vendim për vendosje të reciprocitetit për targa dhe dokumente të hyrje-daljeve që nga 1 gushti 2022. Një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga serbët në veri të vendit, të cilët kishin bllokuar rrugët në atë pjesë dhe kishin tensionuar situatën.

Duke parë një zhvillim të tillë, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me urgjencë kishte shkuar në një takim me krerët e shtetit dhe kishte kërkuar që një vendim i tillë të shtyhej për një muaj.

Tensionimi i situatës kishte nxitur Josep Borellin dhe Miroslav Lajcakun të ftonin me urgjencë një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiç që u caktua të mbahej më 18 gusht.

Mbi pesë orë negociata Kurti-Vuçiç në Bruksel kishin rezultuar pa sukses. Kjo ka bërë që Uashingtoni dhe Brukseli të dërgojnë në Prishtinë dhe Beograd dy emisarët, në kërkim të një zgjidhje para datës 1 shtator, meqë s’duan që të përsëritet ajo çfarë ka ndodhur një muaj më herët.

Derisa në pjesën veriore tashmë janë vendosur forcat amerikane të KFOR-it. Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, komandanti i KFOR-it ka thënë se nuk do të lejojnë vendosjen e barrikadave dhe se nëse do të shfaqet nevoja edhe do të ndërhyjnë, meqë misioni i KFOR-it është siguria dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes./abcnews.al/

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!