MENU
klinika

Si iu afruan autorët me motoçikletë

I shpëtoi 20 plumbave ne Shkodër, flet 25-vjeçari

26.08.2022 - 13:55

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin që iu bë mbrëmë në Shkodër 25-vjeçarit, Alban Bruçi.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 plumb, 10 prej të cilëve kanë goditur mjetin tip “Audi” të të riut, i cili i shpëtoi atentatit, në lagjen Rus të Shkodrës, pasi të riun nuk e kapi asnjë prej plumbave

Ndërkohë në dëshminë e tij ai ka thënë se nuk ka asnjë ide se cilët mund të jenë autorët dhe se ka qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan në drejtim të tij për ta qëlluar.

“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, ka thënë 25-vjeçari para grupit hetimor.

Nga administrimi i provave materiale më vend ngjarje janë gjetur 20 gëzhoja të kalibrit 7.65 ndërsa 10 predha kanë goditur mjetin në të cilin udhëtonte i riu. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se është përdorur armë zjarri automatike e llojit skorpions me silenciator.

Ndërsa atentatorët pasi kanë parë lëvizjet e të riut kanë zgjedhur vendin, i cili në ato momente nuk ka lëvizje të shumta dhe për shkak të pemëve anësore në rrugë kamerat e sigurisë së bizneseve nuk arrijnë të monitorojnë edhe rrugën.

Nga ana tjetër policia dhe grupi hetimor kanë marrë në administrim pamjet e kamerave të sigurisë të segmentit rrugor nëpër të cilin ka lëvizur 25 vjeçari. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe persona qe në ato momente janë ndodhur në vend ngjarje.

Por për shkak se goditja është bërë me armë me silenciator nuk kanë arritur të shohin qartë atentatorët.

Nga sa mësohet nga grupi hetimor dyshohet se autorët e atentatit për shkak se në zonë nuk ka lëvizje të mjetëve dhe rrugën e kanë të lirë kanë përdorur silenciatorit me qëllim që të mos bien ne sy të favorizuar edhe nga nata dhe ndriçimi i dobët publik në zonë si shkak i pemëve në dy anët e rrugës.

Dëshmitarët mësohet të jenë shprehur se “Kemi dëgjuar vetëm goditjet në makinë dhe përplasjen e saj me trotuarin, asgjë më shumë. Nuk kemi parë nëse kanë qenë me motoçikletë apo me makinë”.

Alban Bruçi është person i njohur për policinë e Shkodrës pasi ka qenë i ndaluar nga policia si i dyshuar për tentativë vrasje ngjarje e ndodhur në 2016-en. Ai ka bërë një vit burg.