Poshtëruese ishte përballja me Liverpool e vlefshme për raundin e katërt të Premier League, për ekipin e Bournemouth. Ekipi që u ngjit këtë sezon në elitën e futbollit anglez e ka pësuar keq në “Anfield”, ndërsa u mundën me rezultatin 9-0.
Makthi i miqve nisi që në minutën e 3’, kur Diaz gjeti rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Firmino, që ishte padiskutim protagonist në këtë takim, teksa 3 minuta më pas po me asistin e Firminos do të shënonte Elliott.
Në minutën e 28’ “The Reds” do të realizonin golin e tretë me Alexander-Arnold, me këtë të fundit që po ashtu shënoi me ndihmën e Firmino, që padiskutimi mund të cilësohet si asistmeni i këtij takimi.
Pasi ndihmoi tre shokë të skuadrës të shënonin, në minutën e 31’ Firmino gjeti vetë rrugën drejt rrjetës dhe i dhuroi ekipit të Klopp golin e katërt. Pjesa e parë do të mbyllej me pesë gola, me Van Dijk që shënoi në minutën e 45’.
Edhe fraksioni i dytë i kësaj ndeshje ishte i mbushur me gola, me episodin që u hap nga një autogol i Mepham, duke i dhuruar kështu një avantazh edhe më të thellë vendasve.
Në minutën e 63’ Firmino do të kthehej sërish në protagonist dhe do të realizonte golin e dytë personal dhe të shtatin për Liverpool. Carvalho do t’u bashkohej shokëve të skuadrës që këtë të shtunë gjetën rrugën drejt rrjetës, duke shënuar në minutën e 80.
Ndërsa në minutën e 85’ Diaz do të shënonte golin e dytë personal dhe të nëntin për ekipin e Liverpool, duke mbyllur kështu makthin për Bournemouth, që nuk pati mundësi për të reaguar.
Manchester City ishte autor i një përmbysje madhështore në Etihad Stadium përballë Crystal Palace me rezultatin 4-2. The Citizens e panë veten në disavantazhin e dy golave në fraksionin e parë të lojës, ndërsa nuk mundën të krijonin rrezikshmëri në repartin e avancuar.
Megjithatë, në fraksionin e dytë, vendasit e trajnerit Pep Guardiola ishin më të motivuar se kurrë duke arritur një përmbysje spektakolare të udhëhequr nga Erling Haaland.
Në fakt, golin e parë e shënoi Bernardo Silva, por më pas skenën e rrëmbeu norvegjezi i cili u tregua i pamëshirshëm në çdo prekje të topit në zonë duke realizuar një tregolësh, tregolëshin e parë prej momentit kur ka mbërritur në Angli teksa tashmë 22-vjeçari shkon në kuotën e gjashtë golave në Premier League.
Chelsea ia ka dalë të marrë tre pikë në javën e katër të Premier League përballë Leicester City, duke u rikthyer te fitorja pas dy raundesh, ndonëse që nga minuta e 28’ ishte me 1 lojtar më pak.
“Blutë” e Londrës mbetën inferior përballë “dhelprave” kur Callagher mori kartonin e dytë të kuq dhe la skuadrën e Tuchel me 10 lojtarë. Megjithatë vendasit treguan që edhe në një situatë të tillë dinë të triumfojnë.
Chelsea gjeti rrugën drejt rrjetës me Sterling që shënoi në minutën e 47’, pas një asisti nga Cucurella, më pas do të ishte po anglezi ai që do të realizonte, duke i dhuruar dopietë ekipit të tij në minutën e 63’. Miqtë tentuan të reagonin dhe shënuan në minutën e 67’ me Barnes, megjithatë ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1.