MENU
klinika

Analiza e zhvillimeve në Moskë

Dështimet e Putinit kthejnë aleatët në armiq

28.08.2022 - 08:05

Frika e një sulmi rus e shtyu Ukrainën të kufizonte festimet publike të Ditës së saj të Pavarësisë javën e kaluar, por kur një raketë goditi një stacion hekurudhor plot me civilë, disa nacionalistë rusë u dëshpëruan.

Ata ishin në pritje të hakmarrjes për vrasjen tre ditëve më parë në Moskë të Darya Duginas, vajzës së një ideologu nacionalist pro-Putin.

“A është kjo e gjitha?”, pyeti një prej mbështetësve të regjimit në Kremlin në mediat sociale pas aktit mizor që vrau të paktën 22 njerëz.

“A është kjo e gjithë hakmarrja e premtuar për Darya? A jemi bërë kaq të dobët, kaq të pafuqishëm?”, ishin pyetjet që mundonin nacionalistët rusë.

Ushtarët e pakënaqur

Ka ushtarë, si Pavel Filatyev, i cili postoi një rrëfim 141 faqesh nga sytë e parashutistëve të luftës, në mediat sociale. Nga rrëfimi i tij i përditshëm për korrupsionin, paaftësinë, tërbimin dhe dëshpërimin del një foto e ushtarëve rusë të zhgënjyer nga komandantët e tyre dhe të tradhtuar nga kombi.

Për ushtarët si ai pyetja është e nderit dhe e kompetencës se pse një ushtri që mburret me raketa hipersonike nuk i ushqen njerëzit e vet, nuk i armatos siç duhet dhe nuk i paguan në kohë.

Nënat e dëshpëruara

Ka nëna ruse të cilat janë të shqetësuara për djemtë e tyre në shërbim ose të pikëlluara për ata që nuk do të kthehen më në shtëpi pas luftës. Ato ndihen të tradhëtuara nga regjimi që i ka gënjyer sistematikisht.

Një nënë i tha BBC: “Nëse nënat e të gjithë ushtarëve që po luftojnë atje dhe atyre që kanë humbur djemtë, nëse të gjitha do të ngriheshin, a mund ta imagjinoni sa e madhe do të ishte ajo ushtri? Dhe ato do të ngrihen!”

“Skifterët” e pakënaqur

Igor Girkin është një veteran lufte i cili, nën emrin “Strelkov”, ishte ish-ministër i mbrojtjes i pseudo-shteteve rebele të Donbasit. Ai është bërë një nga kritikët më të ashpër të Putinit dhe ministrit të mbrojtjes, të cilin ai e quan me sarkazëm “Avantazh Unik Strategjik”.

Për ta, mëkati i Kremlinit nuk është se pushtoi Ukrainën, por përkundrazi se e ka bërë kaq keq, me një kombinim amatorizmi, paaftësie dhe korrupsioni që po e bën Rusinë të duket e dobët dhe “budallaqe”.

Për Girkinin dhe kritikët e tjerë të regjimit, është një çështje menaxhimi se pse Kremlini nuk mund të bëjë thjesht punën e tij?

Besnikët e shqetësuar

Më tej vijojnë besnikët si Sergei Markov, të cilët kanë vazhduar të tërheqin linjën zyrtare, por janë të shqetësuar nga implikimet e saj. Kremlini po projekton paaftësinë dhe neglizhencën në përpjekjet e tij për të shpjeguar ndryshimet e fundit. Anija e Flotës së Detit të Zi nuk u fundos nga raketat ukrainase, por nga një aksident dhe moti i keq.

Tani pretendohet se Dugina u vra nga një ukrainas i cili kaloi një kufi të mbyllur, kaloi një muaj në Moskë, një qytet i mbushur me kamera të lidhura me softuerin e njohjes së fytyrës , pa u identifikuar, kreu vrasjen dhe më pas, një ditë më vonë, ngiste makinën 760 km deri në Estoni dhe përtej një kufiri tjetër, pa pengesa. Dhe e bëri këtë me vajzën dhe macen e saj 12-vjeçare.

Për besnikët e shqetësuar, është një çështje e përshtatshmërisë nëse janë ata të sigurt se janë në anën fituese?

Akti balancues

Regjimi aktual nuk është nën ndonjë kërcënim të dukshëm të afërt, por zhgënjimi në rritje është padyshim një shqetësim.

Kjo shpjegon edhe aktin e dëshpëruar balancues të Putinit. Lufta ka arritur në një ngërç dhe ka pak mundësi që Rusia të jetë në gjendje të nisë një ofensivë tjetër të madhe këtë vit. Putin nuk ka asnjë perspektivë për një përparim që do t’i lejonte atij të shpallte fitoren. Ai është një i burgosur i mashtrimit të tij.

Tashmë ka filluar të shihet një riformulim i qëllimeve të luftës që ndoshta mund të lehtësojë negociatat në të ardhmen. Megjithatë, jemi shumë larg nga çdo negociatë serioze. Ukraina nuk po tregon shenja se është e gatshme për të bërë lëshime.

Dekrete boshe

Kjo është veçanërisht e dukshme në ‘betejën’ për të gjetur ushtarë të rinj. Pavarësisht presionit nga komanda e Rusisë për të pranuar realitetin Putini heziton të thërrasë një mobilizim kombëtar të ushtrisë. Në vend të kësaj, Kremlini po rekruton ushtarë të rinj nëpër shkolla dhe burgje, duke kërkuar që guvernatorët lokalë të mbledhin “batalione vullnetare” me çdo mjet të mundshëm.

Të enjten Vladimir Putin nxori një dekret për rritjen e fuqisë së forcave të armatosura ruse me 137,000 ushtarë. Edhe përpara fillimit të luftës ushtria ruse ishte 15% e paplotë ndërkohë që ushtarët po vdesin dhe po largohen nga forcat.

Rusia është kthyer në shembull të një lidershipi të paaftë për të përballuar sfidat e ditës, që përgjigjet me dekrete boshe dhe jo me politika praktike. Pa ide të reja dhe pa aftësi për të pajtuar fraksionet brenda qeverisë dhe të bllokuar brenda një lufte të nisur nga vetë ata, Kremlini i Putinit po bëhet gjithnjë e më pak i besueshëm.