Rezultati i ndeshjes mes Egnatias dhe Tiranës përfundoi në plan të dytë (fituan bardheblutë 0-2). Në minutën e 33-të në stadiumin e Rrogozhinës u regjistrua një episod dramatic, që ka shkaktuar panik në fushën e lojës. Pas një përplasje kokë më kokë mes Hamzat të vendasve dhe Qefalijës të Tiranës, ky i fundit mbeti i shtrirë në tokë.
Shokët e skuadrës shkuan ta ndihmonin dhe u pa menjëherë se situata ishte serioze. Lojtarët e të dy skuadrave bënë shenjë nga ambulanca pasi lojtari ishte i gjakosur dhe një pjesë e futbollistëve ishin të parët që ndihmuan për të nxjerrë barelën nga makina e cila u afrua me shpejtësi.
Për disa çaste kishte ankth dhe një situatë shumë të rënduar pasi lojtarët e Tiranës, sidomos disa prej atyre që kishin qenë pranë lojtarit pas përplasjes, ishin të tronditur dhe të përlotur. Xhixha e Bekaj nuk mbajtën dot lotët, dukshëm të shqetësuar për shokun e skuadrës i cili u largua me ambulancë drejt spitalit të qytetit.
Më pas, delegati i FSHF hyri në fushën e lojës për të marrë vendimin nëse ndeshja do të rifillonte, pasi situata ishte shumë e rënduar dhe sidomos lojtarët bardheblu nuk donin të rifillonin sfidën pa marrë lajme nga shoku i tyre.
Pas rreth 10 minutash, erdhi lajmi nga spitali se Qefalija ishte përmendur dhe kjo iu komunikua futbollistëve nga drejtuesit e Tiranës, me lojtarët që pranuan të ktheheshin përsëri në fushë për të vazhduar ndeshjen.
Sa i takon ndeshjes, Tirana e fitoi 0-2. Goli i parë u shënua në minutën e 14-të. Aksion i shpejtë i bardhebluve me Xhixhën, i cili nga e majta harkon në zonë dhe aty Kallaku me kokë dërgon sferën në rrjetë. 0-1 mbyllet fraksioni i parë.
Në të dytën, pikërisht në 54’, vjen edhe goli i dytë. Është Hasani që befason portierin Sherri të Egnatias dhe 0-2. Goli i dedikohet Qefalisë që u dëmtua rëndë. Egnatia sulmoi dhe pati disa raste të mira shënimi, por nuk arriti të shënonte.
Kështu, Tirana merr fitoren e parë (barazoi në ndeshjen e parë 1-1 me Kukësin në transfertë). Kampionët kanë 4 pikë, ndërsa rrogozhinasit asnjë pikë në dy ndeshje (u mundën nga Partizani në sfidën e parë).