Një gol i Markut në minutat shtesë të takimit i ka dhënë fitoren e parë në kampionat Vllaznisë. Një ndeshje me dy tablo është zhvilluar në “Loro Boriçi”. Shkodranët dominojnë pjesën e parë, ndërsa Kukësi luan më mirë në pjesën e dytë. Vllaznia merr tre pikët e para në kampionat, ndërsa Kukësi duhet të presë akoma për të shijuar fitoren.
Shkodranët dominuan pjesën e parë dhe goli i shënuar nga Heriç ishte rrjedhoje e një loje ofensive e cila pa ekipin vendas të godiste dy herë edhe traversën e portës së mbrojtur nga Tafas dhe shtyllën.
Por më pas erdhi goli i Zivkoviç dhe aty kuqeblutë kaluan në kaos të plotë, duke i dhënë hapësira Kukësit që mund të kishte shënuar edhe golin e avantazhit në fund me Peposhin. Shtesa e ndeshjes solli dramën e vërtetë. Fillimisht kuqeblutë panë t’u anulohej një penallti pas ndërhyrjes së VAR e më pas erdhi goli në limite i Markut, që vulosi tre pikët e para për ekipin e Josës.