Dëmtimi i mesfushorit të Tiranës, Klevi Qefaliaj, në ndeshjen ndaj Egnatias ka prekur opinionin sportiv dhe jo vetëm. Së fundmi, ka reaguar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka me anë të një postimi në profilin e tij të rrjetit social “Instagram”.
Kreu i FSHF shkruan se asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe se duke i bërë apel të gjitha klubeve për të zbatuar të gjithë rregulloren e FSHF-së për organizimin e ndeshjeve:
“Jam interesuar personalisht nga pasdita e djeshme deri më tani për gjendjen shëndetësore të futbollistit 18-vjeçar të KF Tirana, Klevi Qefalija, pas dëmtimit të rëndë në ndeshjen me Egnatian në javën e dytë të Abissnet Superiore.
Jam i lumtur që futbollisti është në gjendje të stabilizuar shëndetësore duke kaluar rrezikun. Shpresoj dhe uroj që të kthehet sa më parë pranë familjes dhe në gjirin e skuadrës.
View this post on Instagram
Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë stafin e doktorëve dhe fizioterapistëve të KF Tiranës për vetëdijen, durimin dhe profesionalizmin e treguar në momentin e parë të ndërhyrjes në fushë, duke i shpëtuar jetën futbollistit.
Një falenderim i veçantë shkon për gjithë stafin e doktorëve në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndërhyrjen dhe reagimin e shpejtë duke siguruar ecurinë pozitive për shëndetin e lojtarit.
Duke qenë se jemi në fillim të kampionatit përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjitha klubeve të çdo niveli, që nga kategoria “Abissnet Superiore” e deri te kampionatet e moshave, që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha rregulloret e FSHF-së për organizimin e ndeshjeve.
Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe jeta e futbollistëve.”