Njëri nga tre të arrestuarit për akuzën e spiunazhit në Gramsh, i është drejtuar Gjykatës së Apelit, duke kërkuar lirimin e tij. Fedir Alpatov nga Ukraina, përmes avokatit Saimir Vishaj, kërkon nga Apeli i Durrësit masën e “Detyrimit me paraqitje”, me pretendimin se synon të vazhdojë studimet.
Ai pretendon se ka ardhur për pushime në Shqipëri dhe se akuzat e ngritura janë pa bazë. Duke siguruar se do të jetë në dispozicion të drejtësisë shqiptare në çdo rast, Alpatov thekson se nuk ka lidhje me spiunazhin.
“Kërkojmë cak timin e masës së sigurimit siç është ajo e ‘Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’, datën dhe orën e lëmë në vendim të Gjykatës, si dhe ndalimin për të dalë jashtë shtetit me qëllim që t’i jepet mundësia për të vazhduar shkollën pasi nuk dëshiroj që të humbasë vitin shkollor. Duke ju garantuar se së bashku me mbrojtësin do jem në dispozicion të organit të akuzës deri në sqarimin e plotë të pozitës sime procedurale lidhur me akuzës që më është njoftuar”, shkruhet në dokument.
Më tej, thuhet se i riu ukrainas kishte pasion fotografinë dhe se paratë e sekuestruara prej 6 mijë dollarësh ia kishte dhënë e ëma për pushime. “Hobi i tij është fotografia dhe sidomos në vendet ish-komuniste, dhe fotografimi i bunkerëve apo ish-reparteve ushtarake, duke i botuar më pas në rrjetet sociale. Në Shqipëri ndodhej për pushime ku lekët e sekuestruara prej 6000$ ia kishte dhënë mamaja e tij, Ilona për pushime, të cilat fatkeqësisht janë sekuestruar.
Në lidhje me faktin, objekt hetimi, klienti im nuk ka pasur dijeni në lidhje me ngjarjen. Nuk ka asnjë provë direkte apo indirekte apo dyshim të bazuar në prova që të provojë ekzistencën e klientit tim në këtë vepër penale”, thuhet në dosje. Në kërkesën e depozituar në Gjykatë, përmenden edhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi pak ditë më parë se ish-reparti ishte deklasifikuar në vitin 2012 dhe se hyrja në të nuk cenon sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër, dy të rinjtë rusë nuk i janë drejtuar ende Gjykatës me ndonjë kërkesë për masë më të lehtë sigurie. Ata kërkojnë avokatë të pavarur ndryshe nga ata të siguruar kryesisht nga shteti shqiptar. Në të njëjtën kohë, ndaj 33-vjeçares, Svetlana Timofeeva, është lëshuar një urdhër-arresti nga një Gjykatë në Moskë për të njëjtat akuza.