Nga Artur Ajazi
Risia e Sali Berishës pas afro 32 vitesh në krye të partisë tij, është teoria e “5 pyetjeve nga selia”. Kjo është e vetmja gj e re, q solli Berisha bashkë me rikthimin e tij të tretë, duke mos u ndarë asnjë moment nga zallamahia ku ka futur vehten dhe forcën e tij politike. Sejmenët (pasi edhe deputetët edhe të punësuarit e partisë të tillë janë) e varur plotësisht nga vullneti i kryetarit të rikthyer, dalin me rradhë. Mjafton ti shikosh se si krenohen dhe krekosen, duke i drejtuar “5 pyetje nga selia” kryeministrit, zv/kryeministres, ministrave, zv/ministrave, kryetarëve të bashkive dhe Njësive Administrative. I pyesin ata “përse keni investuar, përse keni ndërtuar, përse keni pastruar ajrin e qyteteve, përse keni ndërtuar ujësjellësa dhe rrugë të reja”, dhe e mbyllin me rromuze boshe, dhe paralajmërime për “ndjekje penale”.
Del zëdhënësja e shtypit, sekretarja e Berishës, dalin deputetët e graduar dhe ata që presin gradimin nga shefi partisë, del edhe dhëndërri kryetarit, dhe bëjnë “ 5 pyetje nga selia”. Pyesin dhe përgjigjen vetë, nxjerrin edhe foto por kurrë nuk nxjerrin pamjet filmike reale, kurrë nuk nxjerrin fakte se si janë ndërtuar akset kryesore rrugore nacionale dhe dytësore, se si janë pastruar qytetet nga objektet pa leje dhe plehrat. Akuzojnë, dhe nuk rreshtin së kujtuari kryeministrit se “vjeshta erdhi, do të rrëzojmë ty, qeverinë, Parlamentin, SPAK-un, dhe amerikanët”. Dhe të mendosh se, kjo që flet dhe sillet kështu para mediave është opozita e “rinovuar” e vendit. Jam i bindur se, në rast se do të pyesnim shqiptarët, duhej të mblidhnim mbi 5 milion pyetje për Partinë Demokratike, Sali Berishën, ish-ministrat e tij dhe ish-kryetarët e bashkive të tij.
Duhej ti pyesnim ata, për vjedhjet dhe abuzimet me qeverisjen e tyre, për rrugët e lëna përgjysëm, për tenderat e bëra dhe paratë e zhvatura nga ata që sot mbushin zyrat e PD-së, për korrupsionin me arsimin, shëndetsinë, ushtrinë, bujqësinë, pronat publike dhe ato me pronarë legjitimë, për varfërimin e shtetit, borxhin e gjetur pas ikjes nga pushteti, dhe shumë mënxyra të tjera. Por ja që Edi Rama, ka vendosur të mos merret, dhe të mos humbasë kohë me këtë opozitë qesharake. Edi Rama, ka vendosur ti përgjigjet kësaj opozite dhe atyre që mbushin selinë e saj të braktisur, me vepra të përfunduara, me rrugë, ujësjellësa, investime të cilat janë drejt përfundimit, dhe arritjet e tij në fushën e politikës së jashtme. Nuk ja vlen të merresh me sejmenë të graduar, me xhaketa të vjetra, nuk ja vlen të humbësh minuta, orë, ditë dhe javë me ata që luajtën bixhoz me paratë e shqiptarëve, dhe që sot betohen se “kemi ndryshuar, nuk jemi ajo PD që keni provuar më parë”. Por shqiptarët nuk harrojnë kollaj vuajtjet dhe dertet e qeverisjes skandaloze.
Opozita e “5 pyetjeve nga selia”, është katandisur në estradë, tek shikon dhe dëgjon emra dhe zëra të “moçëm” që dikur nuk bënin asnjë “nder” pa marrë zarfin, dhe që sot na shiten si “shenjtorë”. Ora e tyre ka mbetur tek Sali Berisha, dhe më absurde, është kur i dëgjon të deklarojnë me seriozitet maksimal se “ish-lideri, është e ardhmja e partisë, lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”. Mjafton kaq, që të besosh se kjo opozitë, as ka ndryshuar dhe as ka rinovuar as rojet e portës së selisë saj.