Babë e bir u ekzekutuan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre në Lezhë. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së hënës në fshatin Gryk Zezë, 5 km larg qytetit të Lezhës, ndërsa viktimat janë Pjerin Përjaku, 56 vjeç, dhe Gent Përjaku, 32 vjeç.
Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash sapo kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre dhe nga plagët e marra gjetën vdekjen e menjëhershme. Burimet bënë me dije se autori i ka pritur viktimat derisa janë kthyer në banesë, çka do të thotë se ka pasur dijeni për lëvizjet e tyre. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, identifikoi autorin, por pa arritur që ta prangosë atë. Ai është Besnik Pjetri, 45 vjeç, banues në Troshan, i cili pas krimit është larguar.
Policia bën me dije se për kapjen e tij po krihet e gjithë zona si dhe po ushtrohen kontrolle në vendet nga ku mendohet se mund të jetë fshehur 45- vjeçari.
“Rreth orës 23:00, në fshatin Grykë Zezë në Lezhë, ka ndodhur një krim në familje, ku dyshohet që shtetasi B.P., ka vrarë me armë zjarri shtetasit P.P. dhe G.P. (babë e bir), te banesa e tyre, për shkak të një konflikti familjar. Autori i dyshuar ka qenë pjesë e asaj familje, ish dhëndër i tyre dhe konflikti dyshohet se ka ardhur pas divorcit mes çiftit. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit B.P. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia.
KTHIMI QË U KTHYE NË TRAGJEDI
Ndërkohë, nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe mbledhjes së dëshmive, bëhet me dije se babë e bir ishin kthyer të hënën nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin pasur një dasmë në vendlindje, te disa të afërm të tyre. Siç duket, ish-dhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banesë është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash.
Fqinjët e familjes Përjaku thonë se janë të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, ndërsa nuk kishin pasur dijeni që babë e bir ishin kthyer nga Italia ku jetonin e punonin prej më shumë se 20-vitesh. “Ka disa vjet që kanë ikur në Itali. Mbrëmë më duket se kanë ardhur. Më ka ardhur shumë keq se e kam pas shumë dashamirës. Kanë jetuar në Itali për rreth 20 vjet. Ka pas ardhur i shkreti, taksirati të gjen. Ndërsa për konfliktet që kanë pasur, nuk di çfarë të them”, thotë një fqinj i familjes Përjaku.
Si nisi konflikti gjashtë vite më parë, që përfundoi në vrasje
Tragjedia në familjen Përnjaku duket se zë fill gjashtë vite më parë, pas një divorci të vajzës së viktimës me bashkëshortin. Sipas burimeve, autori i krimit të rëndë, Besnik Pjetri, i cili ishte babai i dy vajzave, ishte divorcuar prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij. Divorci kishte vazhduar me probleme të shumta mes tij dhe ish-bashkëshortes, jo vetëm për faktin se mes tyre ishin dy fëmijë, por edhe pretendime të tjera. Madje, për shkak të konflikteve kishte ndërhyrë edhe policia italiane, duke arrestuar Besnik Pjetrin, i cili sipas burimeve ka qëndruar dy vite prapa hekurave. Por, as kjo nuk e kishte bërë që t’u jepte fund konflikteve.
45-vjeçari pretendonte se familja e ish-bashkëshortes së tij i kishin borxhe dhe se ato nuk ia kishin kthyer. Një tjetër pretendim i autorit të dyshuar të krimit, ishte se ata nuk e lejonin të takonin vajzat e tij, çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë në orët e vona të mbrëmjes së hënës.
Familja Përjaku ka hapur dyert e mortit, ku po pret e përcjell ngushëllimet e të afërmve të tyre. Trupat e viktimave janë tërhequr nga morgu i Spitalit të Lezhës mesditën e ditës së djeshme pasi iu nënshtruan ekspertizës së specializuar mjekësore. Ata do të përcillen për në banesën e fundit paraditen e se mërkurës në varrezat e fshatit Prull. Ndërsa autori i kësaj ngjarje të rëndë, Besnik Pjetri, vijon të jetë ende në arrati.
Fqinjët: Jetonin prej 20 vitesh në Itali, nuk ishin persona problematikë
Një prej banorëve të zonës, fqinj i viktimës, tha se 56-vjeçari që mbeti i vrarë nuk e njihte për person problematik. I moshuari thotë se dy viktimat jetonin prej 20 vitesh në Itali, ndërsa Pjerin Përjaku vinte herë pas here në vendlindje ku kishte shtëpinë për ta mirëmbajtur atë. “Unë shumë mirë i njoh. Ai ka disa vjet që ka ikur në Itali. Mbrëmë më duket se ka ardhur. Nuk e kam ditur që vjen dhe as se ka ardhur.
Më kallëzuan shokët sot për atë që ka ndodhur. Mua më erdhi keq sa s’ia ke idenë. E kam pas shumë dashamirë, edhe baballarët kanë pasur njohje. Unë nuk di të ketë pasur konflikt. Kanë pas jetuar në Itali prej gati 20 vjetësh. Por vinte herë pas here. Ka qenë familje e mirë, por taksirati të gjen”, tha një prej banorëve të fshatit, fqinj me banesën e viktimave dhe me njohje të vjetra me ta. Një tjetër banore e fshatit thotë se viktimat jetonin prej kohësh në fshat. “Na thanë është bërë nami i zi. Janë vendali të kahershëm”, u shpreh një fqinje.