MENU
klinika

“E kaluam kufirin sikur të ishte BE”

Qytetarët nga Kosova hyjnë lirshëm në Serbi

01.09.2022 - 09:51

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës.

Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet. As Kosova nuk do të lëshojë dokumente të tilla për qytetarët e Serbisë.

Në Jarinjë dhe Merdarë, qytetarët e të dyja anëve po e kalojnë kufirin pa problem, me dokumentet e tyre personale.

Kalim me letërnjoftime në Jarinjë e Merdarë
Në Jarinjë, Liridon Shala nga Podujeva, që kaloi kufirin për në Serbi me dokumente të Kosovës, tha se edhe kur kanë qenë dokumentet për hyrje/dalje për të nuk ka qenë problem. Por, me heqjen e tyre, ai thotë se po i duket sikur të jetë në Bashkimin Evropian.

“Pa problem kemi kaluar, nuk kemi pasur problem as kur kanë qenë letrat [dokumentet për hyrje/dalje] vetëm se është dashur t’i marrim ato tek autoritet serbe, nuk kemi pasur problem kurrë, asnjë pengesë nuk e kemi pasur. Sot normal që më mirë, sikur të ishte Bashkimi Evropian na u duk, se gati njësoj”, tha ai për REL-in.

Zorani, nga Leshaku në veri të Kosovës, tha se do ta kalojë kufirin me dokumentet e Serbisë dhe se marrëveshjen për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje, e cilësoi si të diçka të mirë.

“Pres një marrëveshje paqeje. Le të lejojmë në paqe së bashku”, tha ai, teksa po kalonte kufirin në Jarinjë.

Dragan Mirosavleviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që më 1 shtator hyri në Kosovë përmes pikëkalimit në Merdarë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kufi gjithçka shkoi mirë.

Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke thënë se nuk shikon shumë lajme.

Nebojsha Llekiq nga Preoc, në Komunën e Prishtinës, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kryesisht vlen për veriun e Kosovës sepse serbët në jug kanë dokumente të të dyja shteteve.

“Unë i kam të dy letërnjoftimet, kështu që ne nuk kemi ndonjë problem. Krejt kjo marrëveshje më duket se është kryesisht për serbët në veri. Përndryshe, mospranimi i dokumenteve vetëm sa e vështirëson komunikimin e shtetasve, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo serbë”, tha ai për REL-in, teksa hyri në Kosovë nga Serbia përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë.

Ekipet e REL-it që po raportojnë nga Merdarja dhe Jarinja, po ashtu kanë kaluar pa problem këto dy pikëkalime kufitare – që lidhin Kosovën dhe Serbisë – me letërnjoftim të Kosovës.

Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.

“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.

Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar.

Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori.

Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e ka shtyrë për 30 ditë.

Palët, ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë.

Nga 1 shtatori në Kosovë pritet të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia.

Edhe kjo masë është dashur të nisë nga 1 gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë.

Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.

Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nis reciprociteti për letërnjoftimet

Kosovarët udhëtojnë drejt Serbisë pa dokument shtesë