MENU
klinika

Kurti u drejtohet qytetarëve serbë

“Për 61 ditë do të bëhet konvertimi i targave…”

01.09.2022 - 09:59

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka filluar konvertimi i targave të mjeteve të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.


Ai ka thënë se nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillohet procesi i konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se në Kosovë janë gjithsej 401.945 mjete me targa RKS, prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë.

Ai ka shtuar se ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ dhe ‘ĐA’ që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, ka shkruar ai në Facebook duke postuar edhe një video në gjuhen serbe.

Ai ka thënë se këto tabela janë trashëgimi e Slobodan Millosheviçit.

Kurti ka thënë se kjo trashëgimi po tenton t’i mbajë qytetarët serbë në të kaluarën dhe të izoluar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nis reciprociteti për letërnjoftimet

Kosovarët udhëtojnë drejt Serbisë pa dokument shtesë