MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Tkurrja 400-mijëshe e gadishmërisë për të votuar

01.09.2022 - 12:19

Nga një sondazh elektronik që publikova dje, më rezultoi se 60% e të anketuarve janë gati të votojnë qysh sot për kandidatët respektivë për kryebashkikë të dy kampeve politike (ende pa u shpallur kandidatët). Kjo tregon se vetëm 60% e banorëve të rritur përkrahin vendosmërisht politikisht dy kampet politike, pavarsisht se çfarë kandidatësh këta të fundit paraqesin në zgjedhje.

Nga një ekstrapolim i përafërt i të dhënave të sondazhit, rezulton se 60-përqindëshi i vendosur politikisht i të anketuarve përfaqëson rreth 1 milion e 260 mijë banorë të rritur të gatshëm të votojnë qysh sot për kampet respektive, pavarësisht se kush do të jenë kandidatët për kryebashkiakë. Për krahasim, vjet në zgjedhjet parlamentare të prillit votuan 1 milionë e 660 mijë banorë të rritur. Pra kemi një tkurrje 400-mijëshe të gadishmërisë për votim.

Por zakonisht, gadishmëria për votim në zgjedhjet lokale është më e vogël se ajo në zgjedhjet parlamentare. Sidoqoftë, gropa 400-mijëshe është shumë e madhe…

Në zgjedhjet e fundit lokale kompetitive (në vitin 2015), numri i pjesëmarrsve u tkurr vetëm me 140 mijë, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse parlamentare (të vitit 2013). Ndërsa gropa 400-mijëshe aktuale (sado të mbushet në muajt në vazhdim) tregon një zhgënjim në të dyja sinoret elektorale.

Siç duket, në krahun mazhoritar, jo pak votues socialistë janë të pakënaqur nga çmimet dhe kriminaliteti i lartë i kohëve të fundit, Ndërsa në krahun tjetër, jo pak votues opozitarë duket se nuk janë frymëzuar mjaftueshëm nga udhëheqja aktuale e opozitës…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN