Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka shprehur dëshirën që vendi i tij të bëhet pjesë sa më shpejt e nismës Ballkani i Hapur, punimet e së cilës po mbahen sot në Beograd të Serbisë.
“Nisma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ne nuk jemi anëtarë të plotë të Ballkanit të Hapur, por dua që Mali i Zi të bëhet sa më shpejt pjesë e tij. Organizimi i eventeve të tilla mund të jetë diçka që Mali i Zi mund të jetë i interesuar. Ne mbështetemi tek njëri-tjetri. Nëse dikush do të shkojë në Mal të Zi, nuk duhet të presë në kufi, por duhet të ketë vetëm një tabelë administrative “mirë se erdhe në Mal të Zi”, si në Europë. Qytetarët duan të kenë sa më pak pengesa administrative”.
Kryeministri Abazoviç përgëzoi edhe arritjen e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës për kalimin e qytetarëve në kufi.
“A duhet të zgjedhim konfliktin? A duhet të dërgojmë ushtrinë në kufi? Apo duhet të zgjedhim të njohim dokumentet e njëri-tjetrit. Ky rajon po përçon mesazhin që pavarësisht se të tjerët nuk ulen dot në tryezë, ne mundemi. Kjo nismë është një nismë që funksionon. Kryeministrat dhe Presidenti ja dolën me sukses që të nënshkruajnë dokumente që e bëjnë jetën e qytetarëve në rajon më të lehtë. Kjo është diçka për t’u përgëzuar. Mendon dikush që duhet t’i kthehemi të vjetrës? Është politika e gabuar. Është 2022, na duhet të krijojmë një vlerë të re në politikë dhe kjo është të përqëndrohemi te progresi”, theksoi Abazoviç.