MENU
klinika

Vizitoi sot Kosovën

Brnabiç respekton reciprocitetin e targave, mbulon flamurin serb

05.09.2022 - 13:59

Detaji që ra në sy ditën e sotme gjatë vizitës së kryeministres serbë Ana Brnabiç në Kosovë, ishte zbatimi i reciprocitetit të targave.

Makina me të cilën lëvizi kryeministrja kishte targë ku fshiheshin simbolet serbe dhe flamuri.

Reciprociteti i targave është një temë delikate në Kosovë pasi ka ngjallur shumë tensione mes serbëve dhe autoriteteve kufitare në veri të Kosovës.

Më 1 shtator ka nisur zbatimi i reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë edhe për çështjen e targave, një vendim i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovë, që do të ndalojë përdorimin e targave serbe që mbajnë akronimet e qyteteve të Kosovës. Targat që do të ndalohen të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës janë ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë lëshuar nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022.