MENU
klinika

Luiza Gega

“Mami s’ma thotë kurrë me fjalë sa krenare është”

05.09.2022 - 17:16

Kampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, në një intervistë për “Vila 24” në News 24, bën një rrëfim ndryshe, teksa zbuloi dhe raportet me njeriun më të shrenjtë, nënën e saj.

“Vi nga një familje e thjeshtë, mamit tim i kanë ndodhur disa fatkeqësi dhe kjo ka ndikuar që te ne fëmijët e saj mos e transmetojë me fjalë krenarinë që mund të ketë për ne, por e ka bërë me vepra gjithmonë.

Nuk ma thotë kurrë me fjalë sa krenare është për mua, për këtë unë i kam ngjarë mamit, kënaqet shumë me mua por nuk kënaqet kurrë me veten. Unë jam një natyrë që gjithë kohës e gjej diçka te vetja për të mos u kënaqur 100%, nuk jam shumë e drejtë me veten ndoshta.

Ndërsa padyshim mami im është shumë krenare, pavarësisht se mezi pret që unë ta lë sportin, pasi do të më shikoj të realizuar”- u shpreh kampionia Luiza Gega.

Luiza Gega u shpall kampione e Europës në atletikë pasi fitoi medalje ari në garën e 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian që u zhvillua në Mynih.

Sportistja shqiptare ia doli që të kalonte e para vijnë e finishit, duke regjistruar kohën 9,11.31. Gega dominoi pjesën me të madhe të garës duke qenë në avantazh për plot 2900 metra, ndërsa në fund kishte një avantazh prej gati 4 sekondash ndaj atletes më të afërt, gjermanes Lea Meyer.

“Ndihem e përmbushur me atë që kam arritur, në radhë të parë për veten time. Për shumë njerëz mund të mos jetë asgjë por për mua është gjithçka. Gara e fundit ka qenë ndryshe pasi unë e doja këtë medalje dhe mendoja që mund t’ja arrija.

Kur erdhi xhiroja e fundit pashë që kisha ende energji dhe mund t’ja dilja, i thoja vetes “Luiza vrapo dhe mos u rrëzo”, se më dukej se vrapoja dhe dridhesha njëkohësisht. Kur kalova vijën e finishit i thashë vetes që ia dole”- tregoi plot emocion Luiza Gega.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN