MENU
klinika

Ndryshimet për Buxhetin 2022

Gati paketa e dytë për përballimin e krizës ekonomike

06.09.2022 - 13:32

Komisioni i Ekonomisë ka miratua rishikimin e buxhetit të vitit 2022, ku rriten pritshmëritë për të ardhurat, rriten shpenzimet e ndërkohë ulen pritshmëritë për deficitin buxhetor. Po ashtu pjesë e këtij akti normativ është përfshirë edhe paketa e dytë sociale për përballimin e çmimeve të rritura. Kjo paketë e dytë që do të ketë përsëri fokus kategoritë në nevojë dhe pensionistët do të jetë zgjatje e paketës së parë, ku u dhanë 30 mijë lekë për 3 muaj për të pensionistët dhe familjet në nevojë për të përballuar koston e shtuar prej çmimeve.

Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj sqaroi ndryshimet e parashikuar në këtë akt normativ.

“Ky akt normativ i përgjigjet krizës së energjisë dhe të çmimeve. Fokusi është akomodimi i mbështetjes për kategoritë. Synimi është shtrirja në kohë e paketës për të përballuar rritjen e çmimeve. Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën. Ndërkohë kemi rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe kemi ulur pritshmëritë për deficitin buxhetor”, tha Ibrahimaj.

Ministrja tha se rreziku më i madh që mund të sjellë një ngadalësim të fortë të ekonomisë është reduktimi i konsumit që deri më tani është frenuar nga paketat e qeverisë.

“Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë më shumë se 3.2%. Parashikimet tona për fundin e vitit 2022, por edhe për 2023 flasin për reduktim të rritjes ekonomike, të ndikuar më së shumti nga frika e uljes së konsumit e ndikuar prej çmimeve. Por deri më tani masat e ndërmarra kanë qenë si mburojë për të mos ulur konsumin. Një nga kostot më të mëdha për këtë vit është rritja e çmimit të energjisë elektrike, dhe ka një buxhet të jashtëzakonshëm prej 28 miliardë lekësh por që ka impakt tek familjet që të mos ulin konsumin”, tha ministrja.

Ibrahimaj bëri një prezantim edhe të rishikimit të shpenzimeve, dhe se ku do të përqendrohen ato.

“Do të rriten me 13 miliardë lekë shpenzimet, më së shumti për të përballuar rritjen e çmimeve. Parashikohen masa për të ndihmuar familjet përballë çmimeve, janë parashikuar fonde për kontratat publike. Reduktohet deficiti buxhetor me 17 miliardë lekë, duke e ulur në nivelin e 84 miliardë lekë. deficiti do të jetë sa 4.2% e PBB-së nga 4.5% që ishte. Limiti i huamarrjes është 33 miliardë lekë dhe jo 50 miliardë. Borxhi publik do të jetë 70.1% e PBB-së, por parashikimet janë pjesë e rishikimeve pasi mund të kemi ulje të borxhit nëse kursi vijon i tillë”, shtoi ministrja.

Shtohen shpenzimet
6.1 miliardë lekë për zgjatjen e paketës anti krizë
1.67 mld lekë për kompensimin e materialeve të ndërtimit për kontratat publike
4 mld lekë për të rritur shpenzimet kapitale
1.72 miliardë lekë për shpenzime për familjet që trajtohen me bonus qiraje këtu përfshihet edhe fondi prej 20 milionë lekësh për Bashkinë Kamëz
1.2 miliardë lekë për blerjen e tekstet shkollore

Të ardhurat
Ishte 546,8 mld lekë
Bëhet 576,8 mld lekë
Diferenca +30 mld lekë

Shpenzimet
Ishin 647,6 mld lekë
Bëhen 660,6 mld lekë
Diferenca +13 mld lekë

Deficiti buxhetor
Ishte 100,8 mld lekë
Bëhet 83,8 mld lekë
Diferenca -17 mld lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arben Malaj/ Çfarë masa duhet të marrë qeveria?

Ekonomia nuk mund të ringrihet pa konsum dhe investime