Para disa ditësh kryebashkiaku bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të vendosin flamurin kuq e zi në ballkon me rastin e afrimit të festave të nëntorit.
Shumë mirë, por pse duhet të bëj thirrje dikush që ne të vendosim flamur në ballkon? E marrim të mirëqenë se e vendosëm, por, pyetja e madhe është: “A na bën ne patrotë flamuri i shpalosur në ballkon”? Çfarë të mire i sjellim vendit me këtë gjest?
Këtyre pyetjeve duhet t’u japim përgjigje. Nuk na bën patriot flamuri kuq e zi në ballkonin e shtëpisë, nuk na bën patriot postimi i fotos së tij në ‘Facebook’ apo ‘Instagram’, as statuset e urimit, as shqiponja me dy duar që e bëjmë kur luan Kombëtarja apo në kësi festash. Asgjë nga këto nuk na bën patriot.
Patriot kanë qenë ata që kanë luftuar për këtë vend, me pushkë e me penë, me gjak e me djersë. Ata që i kanë dhënë emër dhe mëvetësi këtij shteti dhe kësaj toke që për shumë vjet është larë me gjak.
Nuk presupozohet që sot të dalim e të luftojmë me armë sepse nuk jemi në kohë lufte, por patjetër që mund të bëjmë diçka, sado pak për vendin tonë.
Patriot do të ishim nëqoftëse nuk do të largoheshim nga vendi ynë. E drejtë, që të gjithë ikin për një jetë më të mirë se kjo në Shqipëri, por secili prej nesh mund të kontribuojë për ta bërë më të mirë jetesën këtu, për vete dhe për të dashurit e tij. Patriot jemi atëherë kur nuk e ndosim vendin tonë.
Patriot jemi nëqoftëse dalim në protesta dhe mbrojmë të drejtat tona. Patriot jemi kur reagojmë nëqoftëse na vjedhin, ne apo Shqipërinë. Patriot jemi atëherë kur i mësojmë dhe i edukojmë fëmijët tanë sesi të ndërtojnë në të ardhmen një Shqipëri më të mirë se e sotmja.
Patriot jemi kur nuk shesim votën për një thes miell apo një vend modest pune. Pra, ka shumë gjëra që mund të bëjmë për t’u quajtur patriot pastaj dhe në fund të vendosim flamurin në ballkon.