MENU
klinika

Ish-ministër i Zogut...

Një intelektual klasi përballë Enver Hoxhës

07.09.2022 - 10:07

        Pjesa e parë

Mirash Ivanaj është një personalitet i jashtëzakonshëm, ndër të paktët e njerëzve të zgjedhur, për të shprehur fuqishëm vetveten, elitën kulturore dhe kombin shqiptar. Një figurë poliedrike: krye atdhetar, vigan i mendimit dhe i veprimit shqiptar në vitet 1930-’40-të, të shekullit të kaluar, ideator dhe reformator i arsimit kombëtar, shtetar model, një nga intelektualët më të ditur të kohës, studiues, poet, publicist, kronikan, përkthyes, kundërshtar i pathyer pushtimit fashist të Shqipërisë dhe i diktaturës komuniste, martir i kombit. Ai u largua nga atdheu bashkë me vëllain Martin Ivanaj, jurist i shquar, kryetar i Gjykatës së Diktimit si dhe miqtë e tij, arkitektin Qemal Butka dhe filozofin Branko Merxhani, si një refuzim ndaj pushtimit Italian të Shqipërisë dhe si një shpëtim për jetën e tyre. E shpjegon vetë këtë mërgim, në ditarin e jashtëzakonshëm “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, pas protestave qytetare e studentore anti italiane, që i përkrahu edhe Mirashi.

Nga: Uran Butka

Në ditarin e datës 4 prill 1939, Mirash Ivanaj shkruante:

“Edhe sot, të tanë ditën dhe natën, deri pas mesnatës, shfaqjet e popullit ndoqën njena-tjetrën…! Te nxanësit e shkollave të mesme, të primun prej Safet Butkës, gjakut trimash e dëshmorësh, po pasqyrohen Shqipnia dhe populli shqiptar…”!

Pas gjashtë vjetësh mërgimi në Turqi dhe Lindjen e Mesme, Mirashi u kthye në Shqipëri. Ishte viti 1945, viti tragjik fillimit të instalimit të diktaturës komuniste, një regjim antinjerëzor, i dhunshëm dhe i përgjakshëm, që kishte vënë në përdorim gijotinën staliniste me prerje kokash, varje në litar, pushkatime, burgime edhe internime masive të paligjshme, për të asgjësuar trashëgiminë shpirtërore, kulturore dhe materiale, si edhe bartësit e saj, figurat e shquara te kombit, mes tyre edhe Mirash Ivanajn.

Ministri i Arsimit i vitit 1945, Gjergj Kokoshi, një intelektual që kishte studiuar edhe ai si Mirashi në Perëndim, social-demokrat, pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste dhe deputet i Kuvendit Popullor, e ftoi Mirash Ivanajin të kthehej nga Turqia në Shqipëri, se atdheu kishte nevojë për të, veçanërisht në fushën e shkollës dhe arsimit kombëtar, duke i dhënë edhe garancitë e tij dhe të qeverisë shqiptare për jetën dhe veprimtarinë, ndonëse edhe vetë Gjegj Kokoshi, nuk e kishte siguruar, sepse, siç dihet, edhe ai një vit më pas u cilësua “armik pushtetit popullor”, nga që kërkoi pak demokraci, u burgos dhe vdiq në burgun e tmerrshëm të Burrelit.

Hulumtuesi dhe studiuesi i parë i jetës dhe veprës së Mirash Ivanajt, Dr. Lazër Radi, në veprën e tij “Misteret e një ministri”, gjen dhe citon arsyet pse u kthye Mirashi: “Unë erdha në Atdheun tim. Zani i këtij atdheu asnjëherë nuk reshti së thirruni. Këtij zani i’u binda. Me gjithë pleqninë time, me mjete shumë të vështira, i pluhnosur dhe i zhigatun, sa as unë vetë as të tjerët nuk po më njihnin, u ktheva në Atdhe. Nuk e mohoj se nji nga shkaqet e kthimit tim janë edhe librat, d.m.th. biblioteka ime…! Mos e mendo se kam ardhë për vlerën e tyne si para, jo aspak, kam ardhë për vlerën e tyne shkencore e gjuhësore. Kam pasë disa tekste te rralla, bile unike”!

Në të vërtetë, siç e pohon edhe vetë, Mirashi nuk e njihte situatën në Shqipëri dhe rrezikun që kanosej atij dhe atdheut të tij. Puthi tokën në kufi dhe pas mjaft peripecish arriti në Tiranë. “Të gjitha rrugët më binin vetëm këtu”, shprehet ai.

Por zhgënjimi i parë i dhimbshëm qe kur priste të gjente bibliotekën e tij të madhe, dokumentet, studimet, dorëshkrimet, por nuk gjeti asgjë. Regjimi i kishte zhdukur. Po ashtu edhe pronat ia kishte sekuestruar.

Një agjent i Divizionit të Mbrojtjes të Shtetit, një partizan i vogël, siç shprehet ai, që s’i ishte ndarë përgjatë rrugës nga Stambolli në Tiranë, i ishte qepur pas edhe gjithë kohën, që i kishte mbetur për të jetuar.

Shteti i rezervoi një pritje hipokrite. “Më çuan drejt në hotel ‘Kontinental’. Këtë hotel e dijsha për të mirë dhe m’u duk se po më nderonin. Më vonë mora vesh se ai hotel ishte i Ministrisë së Brendshme dhe se aty çdo lëvizje e fjalë ishte e kontrollume dhe e njoftume në vendin e duhun”- (Nga biseda e tij në burg me Gjergj Bubanin).

E priti edhe vetë diktatori Enver Hoxha, me përzemërsi të shtirur dhe cinizëm. Studiuesi Lazër Radi, na jep këtë bisedë mes tyre:

Enver Hoxha: – E shikon sesa mirë po të pres, megjithëse ti ma preve bursën në Francë!

– Nuk e mbaj mend nji gja të tillë. Po në qoftë se ta kam pre, domethanë se nuk ke qenë i rregullt në mësime, – i’a ktheu ish-ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj.

Gjithsesi njeriu i çiltër Mirash Ivanaj, nuk e mori si një cinizëm apo kërcënim. “Vetëm ma vonë, në burg, e kam kuptue thellësinë dhe poshtërsinë e kësaj ironie. Naiviteti nuk më falet!- shkruan ai.

Pranoi detyrën më të rëndësishme dhe më të thjeshtë, atë të pedagogut në Institutin “Femëror”, që kishte themeluar vetë në kohën e Mbretërisë së Zogut. Dhe i’u përvesh punës për afro një vit me pasionin e dikurshëm, kur jepte mësim në gjimnazin e Shkodrës dhe në atë të Tiranës.

Mirash Ivanaj nuk e dinte që ishte futur në listat e vdekjes, si qindra intelektuaklë të tjerë, që kishin studiuar në universitetet e Perëndimit, dhe ku ai ishte lauruar shkëlqyeshëm në Letërsi dhe Jurisprudencë. U arrestua pa asnjë arsye apo veprim, më 19 prill të vitit 1947 dhe u torturua mizorisht në paraburgim, në hetuesi, në procesin gjyqësor, deri në dhënien e vendimit të gjykatës ushtarake më 29 maj 1948, pas mëse një viti torturash psikologjike e fizike të paimagjinueshme.

Mandej edhe ne burg, ku nuk mungonin fyerjet dhe dhuna. Një gardian e godiste me shkop, një tjetër i shkulte vazhdimisht qimet e mustaqeve, kur dihet që malësorët, se edhe Mirashi vetë ishte një malësor krenar dhe i pathyer.

Bashkëvuajtësi Llambi Llambiri, kujton: “Kur e torturuan në qeli, për ta detyruar të tregonte e të pranonte ‘krimet e tij’, ai i duronte ato me stoicizëm e heshtje, por, goditjen me shkop dhe përgjakjen nga gardiani, fare kot, ai nuk e kuptonte dhe nuk qetësohej dot. Kërkoi një cigare. Ishte e para herë që kërkonte. E pinte shumë duhanin kur i gjendej, por i gjendej fort rrallë e s’kish kush t’ia sillte. “Unë shpesh, si më i ri që isha’, kujton Llambi, ‘mblidhja bishtat e cigareve që i hidhnin rojet dhe bëja ndonjë cigare. Kërkoja t’ia jepja Mirashit, por ai nuk i pranonte: Ti lodhesh, pije për vete – dhe nuk e merrte”.

U akuzua nga prokurori ushtarak Petrit Hakani, si besnik i Monarkisë, kur dihet mirë se Mirashi, ishte me ide republikane, të shprehura fort te gazeta “Republika”, por që shërbeu edhe në kohën e Mbretërisë për reformën e shkollës kombëtare shqiptare, që mbetet një nga veprat madhore te tij. U akuzua si agjent i imperializmit, kur ai ishte një atdhetar shqiptar, që punoi dhe u sakrifikua për vendin e tij. U akuzua se kishte ardhur nga Turqia, me mendimin që të rrëzonte pushtetin popullor! Mirashi reagon: “Po a dënohet mendimi në ndonjë vend të botës”?!

Gjykata Ushtarake me Abdyl Hakiun në krye, i quajti akuza e fakte të provuara plotësisht, ndonëse Mirash Ivanaj nuk i pranoi akuzat dhe i rrëzoi ato një e nga një me argumente e fakte, dhe në bazë të të ligjit famëkeq 372, datë 12.12.1949, e dënoi për krime kundër shtetit me shtatë vjet burg, humbje të të drejtave politike, si dhe me konfiskimin e pasurisë së luajtshme. Gjithashtu i ngarkoi edhe shpenzimet e gjyqit!

“Gjithë akuzat e tyne ishin shpifje dhe trillime, asnjë e vërtetë”! – thotë Mirsh Ivanaj, kur dergjej në burg.

Dihet që të burgosurit i shfrytëzonin në punë rraskapitëse intelektuale dhe fizike. Sipas bashkëvuajtësit në burgun e Tiranës, Lazër Radit, Mirashin e detyronin të përkthente literaturë ushtarake, sidomos nga serbo-kroatishtja apo gjuhët e tjera. Lazër Radi, në librin “Ministri i hekurt”, shkruan: “E çuditshme., megjithatë sytë i kishte xixë. Ishte shikimi i një shqiponje e lëshuar nga një bjeshkë e thepisur. Syni i tij nuk lodhej edhe kur përkthente 20 orë pa pushim. Dhe ishte rreth të gjashtëdhjetave!”

Vuajtjet shpirtërore, mungesa e lirisë, ushqimit, e ajrit të mjaftueshëm, e dritës, të ftohtët dhe lagështia ngrirëse, puna rraskapitëse e përkthimit, duhani, e bënë punën e tyre. U sëmur rëndë, por s’kishte ilaçe për të, as shërbim mjekësor. Aty ishte mbyllur për të punuar sa kishte fuqi dhe për të vdekur. Miku i tij, Lazri, i qëndronte mbi krye dhe i shërbente me ç’mundej. Po shëndeti i Mirashit po prekte fundin, ndonëse nuk ankohej.

Bashkë shkëmbenin ndonjë fjalë, dhe Lazri i shënonte në mendje, për t’i hedhur në letër, kur të dilte nga burgu. Ja ç’shkruan ai: “Një mbas dite, kur po ndërronte këmishën, vura re kishte mbetur nji skelet i gjallë, nji grumbull eshtnash. Por nuk ankohej kurrë. E mora në krahë, ishte i lehtë si një frymë. Dukej sikur shpirti i tij qëndronte pezull, as në qiell e as në tokë”.

Mitrush Kuteli, shkrimtari i madh, bashkëvuajtësi në burg i Mirash Ivanajt, që në një moment dëshpërimi tentoi t’i priste damarët me një gozhdë, po nuk e gjet dot venën, shkruan- “Edhe kur ishte pak më mirë me shëndet, Mirashit s’i pëlqente të dilte në oborr të burgut e të sillej si kali në lëmë. Njerëzit (të burgosurit) i dukeshin si ata peshqit jashtë ujit që, në grahmat e agonisë, shqyejnë gojën për të thithur etshëm pak oksigjen…”!

Mirash Ivanaj nuk e merrje vesh asnjëherë në ishte i ngrënë apo i pangrënë, i gëzuar apo i trishtuar. Kur bashkëvuajtësit e lusnin të merrte diçka nga ushqimet që u sillnin familjarët, ai kurrë nuk pranonte. Profesor Beqir Haçi, tregon se kur ndau një portokall në thela, të parit i’a zgjati Mirashit, por ai, duke e falënderuar, nuk e mori. Mbasi morën të gjithë nga një thelb, mbeti e fundit. Vetëm atëhere, kur kishin marrë të gjithë, për mirësjellje, edhe Mirashi e mori.

“Një ditë, në shtëpinë e vuajtjeve’, sipas kujtimeve të Jakov Miles, ‘erdhi Mehmet Shehu me Bedri Spahiun. Në dhomën e përkthimeve, takuan edhe Mirash Ivanajn. Plaku me respekt u ngrit në këmbë:

-Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua- i tha Bedri Spahiu.

-Jo pikëpamjet, por bindjet e mia- e korrigjoi Mirashi. – t’ju them të drejtën: asnjë nuk kam ndryshuar.

Atëherë nuk qenke tjetër veçse një plak matuf- i’u shfry Mehmet Shehu.

“Jam nji mendimtar dhe nji demokrat që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë”, i’a ktheu ai.

Vetëm kur ishte në prag të mbarimit, e çuan formalisht në spitalin e burgut. Agron Çarçani, që vuante sëmundjen në një dhomë me të, rrëfen në kujtimet e tij: “As hante, as pinte, as fliste. Në një çast kërkoi të më thoshte diçka: ‘Unë jam i mbaruem, o bir! Po këtu nën jastëk kam një poezi. E kam ruajt me shumë kujdes. Po munde nxirre prej këndej dhe po të gjesh rastin botoje, Asht e thjeshtë, por ka vlerë njerëzore:

Lamtumirë, o jetë, lamtumirë o botë

Përzier me vrer, e lagun me lot.

Revolta dhe apoteoza e tij shkojnë deri te Zoti, të cilin e vë në dyshim:

O zot, qysh i duron këto batërdi!

Kush sundon, më thuaj, këta, apo ti?

Si edhe të tjerë të burgosur para dhe pas tij, edhe Mirash Ivanajn e lanë të jepte shpirt pa asnjë ndërhyrje kirurgjikale. “Vdiq: as në burg, as në shtëpi, as i lirë as i burgosur, as në mes të njerëzve as në vetmi fare, një vdekje absurde, një vdekje mister; vdiq i martirizuar po i papërkulur dhe në një heshtje mizore”!

Bashkëvuajtësi Ibrahim Hasnai, si dhe ish laboranti i spitalit Enis Boletini, tregojnë se në spital u muar vesh që trupi i Mirash Ivanajt, gjendej në auditorët e Anatomisë të Fakultetit të Mjekësisë, si kadavër për demonstrim mësimor. Kështu ai i shërbeu edhe për së vdekuri.

Mirash Ivanaj, figurë madhore e kombit

Apostulli i shqiptarizmit dhe i mendimit të lirë, Mirash Ivanaj, ecën e nuk tutet në këtë rrugë të vështirë, por jo pa krye dhe në këtë luftë madje të përgjakshme për vetveten, që të ngrejë themelet e forta të institucionit kryesor të shtetit dhe shtyllën kryesore të kombit, shkollën kombëtare, si edhe altarin e mendimit të lirë, për të cilët u martirizua.

Qemal Butka, miku më i ngushtë i Mirash Ivanajt, shkruan në kujtimet e tij: “Ne kishim besim se shteti shqiptar do të reagonte fuqishëm, sepse shqiptarët kishin luftuar kundër pushtuesve të huaj edhe kur s’kishim pasur shtet, jo më tani. Po ky ishte iluzioni ynë. Mirash Ivanaj na thoshte se, po e humbisnim indipendencën dhe integritetin, sepse kishim humbur më parë indipendencën morale, kulturore, institucionale dhe ekonomike”!

Në ditarin e tij të vitit 1939: “Na që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, Mirash Ivanaj shënon:

Mirashi u rropat në dhena të huaja, në Greqi, Turqi, Liban, Egjipt, e gjer në Jeruzalem, duke ngrënë bukën e hidhur të mërgimtarit, çka nuk e kishte dëshiruar kurrë. Skënder Luarasi rrëfen në kujtimet e tij se, kur ishte ministër Mirash Ivanaj, kishte krijuar dhe dërguar në provimin e hartimit për maturantët e vitit 1934, këtë temë:

“Atdheut, atdheut, besnik

shiko t’i afrohesh

dhe ta pushtosh me gjithë zemrën tënde.

Këtu është rrënj’e fortë e fuqisë sate.

Atje, në vend të huaj, qëndron vetëm

si i dobët kallam që e thyen shqota”!

Mirash Ivanaj, në këtë tokë të shenjtë i kishte rrënjët dhe këtu i merrte fuqitë e Anteut. Vetëm kështu mund të shpjegohet forca dhe pathyeshmëria e tij. Jashtë atdheut e ndiente veten të braktisur e të fikun.

Siç pohon edhe vetë në gjyq: “Jam arratisë jashtë shtetit, bashkë me Qemal Butkën, pa marrë gja me vete, veçse kështu siç më shihni…! Nga vetë Zogu, nuk kam marrë asnji cantim, përveçse nji sasie të hollash që na shpërndahu komisioni i shtetit (nga katër gjysma rroge). Mue më ka mbajtë gjatë shtatë vjetëve të mërgimit, kolonia shqiptare e Stambollit, si dhe ndihma e Semete Xhavollit, Konsull i Shqipërisë në Shkup. Nuk kam krijue e nuk kam marrë pjesë në asnjë komitet apo organizatë politike, por kemi ba nji protestë ndërkombëtare kundër Greqisë, kur kërkonte viset tona të Korçës e të Gjirokastrës…”!

Mirash Ivanaj kishte mbajtur kurdoherë qëndrime të rrepta kundrejt politikës shoviniste greke ndaj Shqipërisë, madje edhe në emigracion, mori pjesë në një protestë publike kundër pretendimeve greke për Korçën e Gjirokastrën. Por kur ishte puna për popullin grek e për popujt e tjerë, ai bënte dallimin dhe i vlerësonte për kulturën dhe historinë e tyre. Kur Greqia u godit nga Italia fashiste në vitin 1940, Mirash Ivanaj dhe Qemal Butka, në emër të emigrantëve shqiptarë në Turqi, hartuan një protestë, me anën e të cilës dënonin agresionin italian kundër popullit grek, dy ditë pas nisjes së tij.

Kjo është shprehje e solidaritetit të popullit shqiptar që asnjëherë nuk ka sulmuar apo lënduar popuj e vende të tjerë, përkundrazi, i ka ndihmuar ata në luftën për liri e pavarësi; është shprehje e humanizmit të përfaqësuesve të tij të denjë si Mirash Ivanaj, në mbrojtje të të drejtave njerëzore e kombëtare të popujve të tjerë. Memorie.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen