Ylli me origjinë shqiptare ka ndezur skenën së bashku me trupën e baletit, duke performuar hitet e saj ndër vite. Këngëtarja kishte veshur një ‘body’ të zi ku vihet re detaji i shqiponjës dykrenare përreth kraharorit dhe shpatullave të saj ndërsa balerinët kishin veshjet e tyre ngjyrë të kuqe, dy ngjyrat që simbolizojnë flamurin tonë shqiptar.
Pas koncertit ajo ka vijuar me angazhimet e saj të shumta dhe i është dashur menjëherë të largohet nga Shqipëri duke udhëtuar drejt Brazilit. Megjithatë, artistja me famë botërore ka dhënë edhe një mesazh të fundit para largimit.
“Më duhet ta them, ky ishte show më i mirë ndonjëherë. Faleminderit të gjithëve që erdhën për të më parë. Ishin 30 mijë-40 mijë veta mesa më thanë.”-tha ajo duke shtuar në shqip: “Mirupafshim, do rikthehem së shpejti. Faleminderit krejt që kishin ardhur. Ju dua shumë. Shihemi kur të vijë sërish.”
Rikujtojmë se orë para koncertit , këngëtarja doli në një konferencë për shtyp ku foli për koncertin dhe raportet e saj me këngëtaret e tjera shqiptare.
Gjithashtu, pak kohë më parë u mbajt edhe “Sunny Hill Festival” i organizuar nga këngëtarja Dua Lipa ku këngëtaret e tjera me origjinë shqiptare nuk kishin pjesë. Gjatë konferencës së ditës së sotme Rita Ora foli për herë të parë në lidhje me mundësinë e një bashkëpunimi mes saj dhe Dua Lipës. Konkretisht këngëtarja u pyet nëse do të ketë në të ardhmen një bashkëpunim mes saj dhe artisteve të tjera që kanë korrur sukses ndërkombëtar, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max.
Në përgjigjen e saj Rita Ora e buzëqeshur përmendi fillimisht hapat e parë të karrierës së sa, e cila nisi rreth një dekadë më parë. Këngëtarja tha se ndihet shumë me fat dhe e lumtur që vendi jonë po njihet më shumë falë artistëve shqiptarë. Sa i përket bashkëpunimit, Rita tha se “gjërat bëhen në kohën” e duhu, duke shtuar se kur të vijë kjo kohë ajo është “gati.”
“E kuptova këtë. Kur unë fillova në 2011 në 2012 u ndjeva se kisha shumë më shumë presion për ta futur vendin tim në hartën globale dhe mendova që jam e vetmja në atë kohë. Tani jam e çliruar që kam shumë më shumë nga vendi im në fushën time por edhe në fushat e tjera. Ne kemi shumë talent si ato që përmende, dhe do të ishte një ëndërr për mua që një ditë që të bëhemi të gjitha bashkë, në kohën e duhur. Të gjitha ka axhendën e ngjeshur, po në kohën e duhur, por mua mund të më llogarisni (po)”- tha Rita Ora./Panoramaplus