Policia e Kosovës ka arrestuar persona të dyshuar dhe ka sekuestruar prova të ndryshme, gjatë një aksioni kundër drogës që po zhvillohet më 7 shtator në pesë komuna të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës, aksioni po zhvillohet në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë.
“Në këtë aksion, deri më tani mund të konfirmojnë se janë grumbulluar prova, janë sekuestruar para kesh, armë zjarri, prova të ndryshme, të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështjeje penale”, tha Nikçi.
Ai tha se ky aksion ka të bëjë me kultivimin e paligjshëm të kanabisit, por gjatë bastisjeve janë gjetur edhe lloje të tjera të drogave.
Gjatë këtij viti, autoritetet e rendit në Kosovë kanë ndërmarrë disa aksione kundër narkotikëve, teksa në prill dhe maj janë shkatërruar disa laboratorë të drogës në Zveçan dhe në Ferizaj. /REL