Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është përfshirë në debatin për bartjen ose jo, të shamisë në shkolla, debat ky që u riaktualizua pasi një shkollë në Suharekë ia ndaloi ushtrimin e profesionit me uniformë fetare një mësuesje matematike, duke u thirrur në Udhëzimin Administrativ të MASHT’it. Për këtë çështje, ka folur Kryeakademiku Mehmet Kraja.
Kraja ka thënë se edhe në rastet e vajzave që bartin shaminë, e edhe në rastin kur vajzat zbulojnë pjesët e trupit publikisht, kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit.
Sipas Krajës, vajza që vë shami në moshë minorene, është e kufizuar dhe nën diktat.
“Dy probleme themelore janë për ne te çështja e shamisë në përgjithësi në kontekstin në Kosovë. E para është e dëmshme për emancipimin e vajzës në Kosovë. Emancipimi i vajzës është problem i madh në Kosovë. Nuk është emancipim vetëm shamia, që vënë kufizim në pamjen e saj, vënë kufizime në përceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit sepse ajo, vajza që vendos shami është e kufizuar, është nën diktat. E njëjta gjë sa i përket emancipimit, këtu ka një vijë shumë të hollë, midis asaj se kemi probleme serioze me emancipimin e femrës te ne, një vijë shumë e hollë i ndan vajzën që mban shami dhe vajzën e cila zbulon pjesët e trupit publikisht. Të dyja, me të dyja rastet kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit të vajzave dhe në këtë rast, të dyja rastet, shamia paraqitet një pengesë serioze në emancipimin e vajzës te ne. I vendos kufizime të cilat janë, domosdo do të reflektohen në krijimin e personalitetit të saj. Pastaj e dyta, çështje tjetër, çështje e dytë është se shamia vendos probleme të theksuara në çështje të identitetit”, – ka deklaruar Kraja në RTK.
Kraja ka thënë se nuk bën fare të lejohet vendosja e shamisë nën moshën 16-vjeçare, meqë kjo ndikon në çështjen e emancipimit të tyre dhe formimin e personalitetit.
“Jo, nuk do të ishte mirë. Nuk bën fare nën moshën 16-vjeçare. Unë nuk e di pragun, nuk e di pse është caktu pragu. Kjo nuk është çështje nuk do të duhej, por nuk bën fare, sepse Kushtetuta ta ndalon…Ne s’po i themi kërkujt mos beso, kërkujt s’po i thuhet as mos beso e as beso, as falu as mos u fal. Thjeshtë të mbrojmë nga keqpërdorimi eventual, nuk po themi i domosdoshëm, një kategori sociale, siç janë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare, që të mos i nënshtrohen një urdhëri, i cili pastaj do të ketë pasoja në formimin e tyre të personalitetit, sepse siç ju thash, vendosja e shamisë nuk është çështje formale, është çështje e emancipimit dhe formimit të personalitetit. Vajza e cila vendos shaminë e kokës, në njëfarë forme vendoset në diktat dhe nuk e zhvillon lirinë e mendimit”, – ka deklaruar ai.
Kryeakademiku ka fajësuar partitë politike që kanë qenë e janë në pushtet për këtë gjendje, pasi s’kanë procedurar dhe miratur Ligjin për Fenë.
Sipas tij, mungesa e një ligji të tillë, do t’i nxjerr problem Kosovës edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
“Në rastin tonë ne kemi të bëjmë me shtet laik dhe kjo nënkupton se feja nuk ka punë në institucionet e shtetit. Është kushtetuese kjo dhe këtu ka një problem tjetër. Ne na mungon ligji për fenë. Ne nuk e kemi ligjin për fenë dhe për këtë një përgjegjësi të madhe për këtë e mbajnë dy-tri legjislaturat e fundit në Kosovë, të cilat nuk e kanë proceduar këtë ligj edhe nuk e kanë miratuar këtë ligj. Poashtu nga ekspertët kam marr vesh se për shkak të mungesës së këtij ligji, ne do të kemi problem edhe me Këshillin e Evropës, do të kemi probleme edhe për pranimin në Këshillin e Evropës, sikur që do të kemi probleme kurdo që do të kandidojmë përsëri për UNESCO, sepse dihen situatat tona që i kemi me institucionet e fesë”, – ka thënë Kraja.
I pari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve ka thënë se ka synime që Kosova të kthehet në Republikë Islamike, duke përmendur këtu kosovarët që i ishin bashkuar ISIS’it.
“Jo rasisht probleme të tilla iniciohen në momente kritike për Kosovën. Nuk është asgjë e rastit…Nuk e di si do të zhvillohen situatat, por synime ka, duket qartë ajo punë, që Kosova të kthehet në Republikë Islamike…Mos të harrojmë se kemi pasur një numër të konsiderueshëm që kanë shku dhe janë bërë ushtarë të ISIS’it, gra e burra. Këtë nuk mund ta injorojmë”, – ka deklaruar kreu i ASHAK.
Ndryshe, Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, para disa muajsh.
“Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3 paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, – ka qenë kërkesa e BIK’ut.
Ndryshe, me Udhëzimin administrativ të MASHT’it përcaktohen të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmëria në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimi i tyre ndaj nxënësve të cilët i shkelin rregullat e etikës.
Në Nenin 3 të këtij udhëzimi, renditen veprimat e ndaluara për nxënësit. Në pikën 1.13 të këtij Neni, si veprim i ndaluar është edhe “bartja e uniformës fetare”.
Përveç bartjes së uniformës fetare, veprime të ndaluara konsiderohen edhe: mungesa e paarsyeshme, mbajtja e armëve të ftohta dhe të zjarrta si dhe mjetet e tjera që rrezikojnë jetën e nxënësve dhe personelit, veprimet e dhunshme, bartja dhe konsumimi i drogës, duhanit alkoolit, hyrja me vonesë në orë mësimi, prishja e rendit dhe qetësisë, lëshimi i orës pa leje, përdorimi i celularit, bartja dhe përdorimi i ditarit të klasës, falsifikimi i dokumentacionit, kopjimi, dëmtimi i inventarit dhe veshjet ekstravagante dhe grimi i tepruar.