MENU
klinika

Figurë poliedrike, vigan i mendimit

“Nji nga shkaqet e kthimit tim, janë edhe librat… disa tekste të rralla”

08.09.2022 - 11:38

       Nga Dr. Uran Butka

Pjesa e dytë

Mirash Ivanaj, është një personalitet i jashtëzakonshëm, ndër të paktët e njerëzve të zgjedhur, për të shprehur fuqishëm vetveten, elitën kulturore dhe kombin shqiptar. Një figurë poliedrike: krye atdhetar, vigan i mendimit dhe i veprimit shqiptar në vitet 1930-’40-të të shekullit të kaluar, ideator dhe reformator i arsimit kombëtar, shtetar model, një nga intelektualët më të ditur të kohës, studiues, poet, publicist, kronikan, përkthyes, kundërshtar i pathyer pushtimit fashist të Shqipërisë dhe i diktaturës komuniste, martir i kombit. Ai u largua nga atdheu bashkë me vëllain Martin Ivanaj, jurist i shquar, kryetar i Gjykatës së Diktimit si dhe miqtë e tij, arkitektin Qemal Butka dhe filozofin Branko Merxhani, si një refuzim ndaj pushtimit Italian të Shqipërisë dhe si një shpëtim për jetën e tyre. E shpjegon vetë këtë mërgim në ditarin e jashtëzakonshëm “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, pas protestave qytetare e studentore antiitaliane, që i përkrahu edhe Mirashi.

Italia fashiste, pas agresionit të saj kundër Shqipërisë së pambrojtur e pa mbështetje, sulmoi, tani së fundi, Greqinë, për të shkaktuar edhe atje shkatërrim moral e material që ajo solli edhe tek ne. Për të fshehur qëllimet e veta kriminale ndaj popullit shqiptar, forcat ushtarake të të cilit ajo don t’i shfrytëzojë për llogari të vet, agresori ka sajuar pretekse që ta bëjnë atë të besojë se, kjo është në interes të Shqipërisë…! Agresori, i cili i ka marrë popullit shqiptar pavarësinë dhe ka internuar në brigjet e Italisë bijtë e tij më të mirë, nuk ka në asnjë mënyrë të drejtë të flasë në emër të popullit shqiptar…!

Shqiptarët, të cilët, atë të premte të zezë të vitit 1939, qenë të parët që i bënë një rezistencë të armatosur një fuqie agresive, protestojnë energjikisht kundër këtij agresioni të ri italian. Ata urojnë me gjithë zemër fitoren e Aleatëve dhe janë të gatshëm të bëjnë sakrificat më të mëdha për triumfin e kauzës aleate, që është po ashtu edhe kauzë e Shqipërisë’’

Në emër të refugjatëve shqiptarë

Mirash Ivanaj Ing. Qemal Butka

Kryetar i Këshillit të Shtetit Publik

Ish-ministër i Arsimit

Ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës

Stamboll, 30 tetor 1940

Edhe kthimi i Mirash Ivanajt në Shqipëri, në tetor 1945, është, në radhë të parë një akt atdhetar. Ishte një nga të paktët intelektualët e njohur që u kthye, me dëshirën e pashuar që të vazhdonte veprën e nisur në fushën e arsimit kombëtar. Natyrisht, në këtë drejtim ka ndikuar edhe përpjekja e Gjergj Kokoshit, për të sjellë në Shqipëri potencialin e madh kulturor të Mirash Ivanajt. Në letrën që ai i dërgon, i lutet Ivanajt që të kthehet, se Shqipëria pas luftës kishte më shumë nevojë se kurdoherë për arsim e kulturë, duke i premtuar dhe garancitë e shtetit shqiptar. Kur i thanë se në Shqipëri sundonte terrori komunist, ai u përgjigj: “Unë s’jam marrë kurrë me politikë. Shkoj në Shqipëri për të punue si mësues, sepse për këtë ka më shumë nevojë ajo”.

Puthi tokën në kufi dhe pas mjaft peripecish arriti në Tiranë

“Të gjitha rrugët më binin vetëm këtu”- thotë ai. “Unë nuk erdha në Shqipni, por erdha në Atdheun tim. Zani i këtij atdheu asnjëherë nuk rreshti së thirruni. Këtij zani iu binda. Me gjithë pleqërinë time, me mjete shumë të vështira komunikimi, i pluhnosun dhe i zhagitun, sa as unë veten dhe as të tjerët mua nuk më njihnin, erdha në Atdhe…! Nuk e mohoj se nji nga shkaqet e kthimit tim, janë edhe librat, d.m.th. biblioteka ime…! Mos e mendo se kam ardhë për vlerën e tyne si para, jo aspak, kam ardhë për vlerën e tyne shkencore e gjuhësore. Kam pasë disa tekste te rralla, bile unike”.

Dr. Mirash Ivanaj, një nga njerëzit më të ditur të kombit dhe një nga njerëzit më të pasur në libra, kishte ëndrrën që të krijonte tok me Mit’hat Frashërin, një Institut të Studimeve Shqiptare. “Vite më parë, në një bisedë me Mit’hat Frashërin, diskutuam për krijimin e nji Instituti Albanologjik. Atëhere u patëm marrë vesh me Mit’hatin, i cili, si atdhetar i vërtetë dhe si pinjoll i denjë i Frashërllinjve, do të vinte në dispozicion gjithë kapitalin e vet dhe komplet bibliotekën e vet aq të madhe e aq të pasun”.

Kur u kthye në atdhe, thesarin e vetëm të librave, të dokumenteve dhe të dorëshkrimeve të tij, nuk e gjeti. Kjo ishte dhimbja më e madhe e Mirashit, pas vdekjes së vëllait në Stamboll.

“Ndërmjet dorëshkrimeve kam pasun edhe disa dokumente origjinale dhe nji korrespondencë të bollshme, të cilat, po të gjinden, do të sqarojnë disa momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë…! Kam shpresë se nji pjesë e këtyne materialeve, mund të jetë në Arkivin e Shtetit. Po të jetë se këto ndodhen atje, atëherë kam shpresë se diçka prej tyre do të dalë në dritë”

Parashikimi i tij ishte i saktë. Në Arkivin e Shtetit është ruajtur, në pesë arkat e fondit Ivanaj dhe në fonde të tjera, një thesar i vërtetë. Ndërmjet dokumenteve origjinale, edhe ditarët, edhe poezitë me titull “Epopeja e njeriut”, drama “Zjarri i Shën Elmos” – vepra të përbashkëta të vëllezërve Ivanaj. Mungojnë dy tezat e laurës, si edhe vepra e tij historike, “Shqipëria në kohën e Bizantit”.

Andrea Xega tregon se, kur e kishte përcjellë për t’u operuar, Mirashi i ishte lutur që të interesohej kur ai të lirohej për këtë studim me rëndësi në fushën e historisë së Shqipërisë.

Mikpritja që i’u bë Mirash Ivanajt nga intelektualët e vërtetë që kishin mbetur ende gjallë, si edhe përshëndetjet që i vinin atij nga ish nxënësit e tij që nga Shkodra, Tirana, Vlora, Korça etj. i’a ngrohnin zemrën e butë dhe të prekshme. Skënder Luarasi, miku i tij i ngushtë, me iluzionin e një shteti të ri demokratik, e ftoi Ivanajn të vinte kandidaturën për deputet, siç do ta vinte edhe ai vetë në Kolonjë, po që u zhgënjye shpejt. Mirash Ivanaj nuk pranoi duke thënë se atij do t’i vinte turp nga zgjedhësit, sepse nuk e meritonte atë nder të madh ngaqë nuk kish kontribuar për lirinë e vendit. Pastaj ai kish aq shumë punë për të bërë në lëmin e arsimit, pa të cilin nuk mund të përparonte asnjë shtet demokratik.

Ministri i Arsimit, Gjergj Kokoshi, i propozoi disa detyra, por Mirashi pranoi atë më të rëndësishmen, të pedagogut në Institutin Femëror, të cilin e kishte themeluar vetë.

Shteti i rezervoi një pritje hipokrite. “Më çuan drejt në hotel ‘Kontinental’. Këtë hotel e dijsha për të mirë dhe m’u duk se po më nderonin. Më vonë mora vesh se ai hotel, ishte i Ministrisë së Brendshme dhe se aty çdo lëvizje e fjalë, ishte e kontrollume dhe e njoftume në vendin e duhun”

(Nga biseda në burg me Gjergj Bubanin).

“Më priti edhe Enver Hoxha dhe më tha se do të më jepeshin gjithë lehtësinat e duhuna për të punue për të mirën e atdheut…! Këtu ke jo vetëm miq të vjetër, por edhe bashkëpunëtorë të vjetër si i nderuari ministër dhe deputet, Gjergj Kokoshi, më tha ai. Vetëm në burg munda ta kuptoj thellësinë dhe poshtërsinë e kësaj ironie. Menjëherë pasi i shqiptoi këto fjalë, sikur e humbi natyrshmërinë dhe sikur nën maskën e asaj llustre, fshihte diçka të kobshme. Vonë e kuptova se ai e kishte nën shënjestër Kokoshin…! Dhe jo vetëm Gjergj Kokoshin”.

“Të them të drejtën u gënjeva. Naiviteti nuk më falet! E dijsha se nuk kisha ba asnji veprim kundër Lëvizjes, e dijsha se partizanët dhe nji pjesë udhëheqësish kanë qenë nxanësit e mi. Tue e dijtë veten të pastër, thashë po kthehem. Sa m’rrita në Elbasan, m’u ngjesh nji partizan i vogël mbrapa dhe nuk m’u nda derisa më rrasën në burg…! Edhe Gjergj Kokoshi ishte më naiv se unë. Tash po e kuptoj se ai, nga komunizmi e sidomos nga ky komunizmi shqiptar, nuk paska kuptue asgja! Pa të keq fare erdhi nji ditë e më tha se, vetë kryeministri (Enver Hoxha) e paska lejue të krijonte nji opozitë. Po përgatitej të botonte edhe nji gazetë. Me çka po më shihnin sytë rreth e qark, fjalët e Gjergjit më dukeshin jo vetëm utopi, por fare absurditet, gjë e pabesueshme. Në birucë, duke reflektuar për këtë çështje, erdha në përfundim se këto qenë manovrime të kurdisuna nga regjimi komunist diktatorial, për ta futë në kllapë Kokoshin e të tjerë”

(Nga biseda në burg me Dr. Lazër Radin)

Këtë lojë Enver Hoxha e bëri edhe me Mirash Ivanajn.

-“E shikon, sa mirë po të pres,- vazhdoi ai me shumë përzemërsi, megjithëse ti ma preve bursën shkollore në Francë”.

– “Nuk e mbaj mend nji gja të tillë. Por, nëse ta kam prerë bursën, don me thanë se ti nuk ke qenë në rregull me mësimet…”!

Nuk kish kaluar më tepër se gjashtë muaj nga kthimi i tij, kohë e mjaftueshme për të realizuar atë skenar hipokrit e kriminal të diktatorit Hoxha.

Megjithatë Mirash Ivanaj iu vu punës me mish e me shpirt, por ai vuri re diçka, ose gjithçka që nuk ecte mirë. Ai nuk arriti të kuptonte se si mjaft intelektualë të njohur e të ndershëm, po futeshin nëpër burgje e po vriteshin, ndërmjet tyre edhe miku i tij më i mirë, patrioti Gjergj Kokoshi. Për këtë ai do të shkruante në ditar: “Nuk besoj kurrë qi Gjergji të ketë tradhtuar ato ideale, për të cilat doli në mal për të luftuar…”!

Një luftë e brendshme shpirtërore po ia trondiste besimin, qetësinë dhe drejtpeshimin shqiponjës së mendimit të lirë, ndaj atyre që flijuan më të shquarit e kombit, duke nisur me gjyqet e inskenuara ushtarake në të gjithë, në ‘Gjyqin Special’ të vitit 1945, me gjyqet kundra ‘Grupit të Deputetëve’, me gjyqin kundra klerikëve, me gjyqin kundër grupeve te rezistencës e të luftës kundër komunizmit, me gjyqet kundër “sabotatorëve” dhe të “agjentëve” anglo-amerikanë, e të tjera e të tjera, si edhe me vrasjet pa gjyqe, me vrasjet e pashembullta nëpër hetuesi qe arrijnë me mijra vetë, me internimet e burgimet masive pa fund dhe pa anë që nuk kanë shembull tjetër në histori.

Pikërisht në këtë kohë terrori, u arrestua edhe Mirash Ivanaj si edhe shumë intelektualë të tjerë krejtësisht të pafajshëm. Por, arrestimi i tij është edhe i veçantë, sepse nuk pati asnjë preteks dhe ndërkohë nuk paraqiste eventualisht ndonjë rrezik. Një burrë plak, rreth të 60-ve, që s’përzihej me askënd, që s’merrej me politikë, një njeri i urtë, fjalëpakët e gojëmbël, i qetë e i kulturuar që merrej veç me librat dhe me nxënësit e tij. Apo meqë merrej me librat dhe me nxënësit konsiderohej i rrezikshëm për pushtetin?! Në dokumentet që disponojmë si edhe nga dëshmitarët, del se nuk i është përcjellë qeverisë ndonjë version i tillë, sepse Mirash Ivanaj gëzonte një dashuri e respekt të madh tek nxënësit e pedagogët e shkollës.

Por edhe atë e përfshinë dallgët e terrorit komunist kundër patriotëve e nacionalistëve demokratë, e përfshiu mëria dhe hakmarrja e diktatorit, të cilit Mirash Ivanaj i kishte një borxh dhe që ky duhej t’ia paguante. Kur ishte Ministër i Arsimit, Mirash Ivanaj, ia kishte prerë bursën Enver Hoxhës.

MBRETNIJA SHQIPTARE

MINISTRIA E ARSIMIT

Tiranë, 6.2.1934

Këshillit Kontollor

Lutemi të merrni shënim se në fund të muajit mars 1934, i pritet bursa definitivisht, studentit Enver Hoxha në Francë.

Ministri i Arsimit

Mirash Ivanaj

U arrestua më 15 maj 1947 nga Skënder Kosova me urdhër të Koçi Xoxes, i cili, përndiqte intelektualët, ndërsa urdhri zyrtar i paraburgimit, ka dalë më 19 maj 1947, pra dy ditë pasi ishte burgosur nga prokurori publik, Xhevit Struga. Po ky prokuror më datë 21.5.1947, urdhëron burgimin e Mirash Ivanajt, “për faje penale kundër popullit dhe shtetit për një kohë të papërcaktuar në burgun e armiqve të popullit”.

Procesi hetimor fillon më 11.2.1948, d.m.th pas 270 ditë torturash çnjerëzore në burg. Llambi Llambiri, ish-i burgosur politik tok me Mirash Ivanajn, shprehet për të: “Edhe kur ishte vet i torturuar, ai nuk ankohej dhe fjala e tij ishte për ne një lehtësim e kurajo. Ai na e hiqte si me magji dhimbjen e mllefin e poshtërimit apo hakmarrjen. Vetëm njëherë ai u indinjua dhe u dëshpërua pa masë: një gardian kriminel nga fshatrat e Tepelenës, njëfarë Selami Sula, vjen një ditë në birucën tonë, me një shkop të gjatë në dorë:

-Ç’ke qenë ti? – i drejtohet Mirash Ivanajt.

-Shqiptar, – i’a ktheu Mirashi.

-Ke qenë edhe Ministër! – shpërtheu gardiani dhe i ra me sa fuqi që kish në kokë me shkopin e trashë. Mirashi u rrëzua për tokë i gjakosur e pa ndjenja. Kur u përmend na pyeti me naivitetin e fëmijës:

– Pse më re, mor zotni?

Kur e torturuan në qeli për ta detyruar të tregonte e të pranonte “krimet e tij”, ai i duronte ato me stoicizëm e heshtje, por, këtë të goditur kështu, fare kot, ai nuk e kuptonte dhe nuk qetësohej dot. Kërkoi një cigare. Ishte e para herë që kërkonte. E pinte shumë duhanin kur i gjendej, por i gjendej fort rrallë e, s’kish kush t’ia sillte. Unë shpesh, si më i ri që isha, kujton Llambi, mblidhja bishtat e cigareve që i hidhnin rojet dhe bëja ndonjë cigare. Kërkoja t’ia jepja Mirashit, por ai nuk i pranonte: “Ti lodhesh, pije për vete – dhe nuk e merrte”.

Torturat ishin aq të padurueshme dhe kërkesat aq absurde sa që mjaft intelektualë të ndjeshëm, nuk i kanë duruar dot. Dhimitër Pasko, shkrimtari i madh, bashkëvuajtësi në burg i Mirash Ivanajt, në një moment dëshpërimi, tentoi t’i priste damarët me një gozhdë po nuk e gjet dot venën, ndërkohë që gozhdën i’a hoqën me forcë nga duart. Po malësori Mirash Ivanaj nuk thyhej.

Kështu kaloi afro një vit. Më në fund, në seksionin e Sigurimit të Tiranës, më 11.2.1948 u hartua proces-verbali i hetimit nga hetuesi, Kapiten i parë Beqir Ndou. Mbas dy muajsh, më 3.4.1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës, filloi procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Mirash Ivanaj. Trupi gjykues përbëhej nga: Abdyl Hakiu-kryetar, Shaban Rexha-anëtar, Sali Çela-anëtar dhe me prokurorin ushtarak, Petrit Hakini, i cili lexoi edhe pretencën./memorie.al/

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe