Turqia vazhdon të mos heqë aspak vëmendjen nga Ballkani. Presidenti turk Rexheo Taip Erdogan dëshiron të ndërmjetësojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa ka thënë se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë. Sakaq Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e komentoi sot ofertën e Erdoganit, duke i bërë të qarta disa gjëra.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan qëndroi të mërkurën në Beograd, nga ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli për një “epokë të artë” të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Turqisë. Pas takimit kokë më kokë me Erdoganin, Vuçiç tha se kishin diskutuar për të gjitha çështjet e rëndësishme, për bashkëpunimin, luftën në Ukrainë, energjinë elektrike e dialogun Kosovë-Serbi.
Presidenti serb tha se ai i ka kërkuar Erdoganit furnizim me energji elektrike gjatë dimrit si dhe tregoi interesimin e Serbisë për të blerë dronë “Bayraktar”, të cilët Erdogan do t’ia dërgojë shpejt.
Edhe Erdogan vlerësoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë në nivel të shkëlqyer, ndërsa përmendi ofertën për t’u përfshirë si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
“Jam i gatshëm të ofrojë mbështetjen për tejkalimin e problemeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Ballkani nuk mund të tolerojë më këto lloj problemesh”, tha Erdogan.
Duke u përgjigjur për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten pas një ngjarje në Podujevë se “ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, por paraprakisht theksoi se “dialogu bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit”.
“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, tha Kurti.
Ai foli për edhe për arsyen e vizitës së Erdoganit në Serbi, Bosnjë e Kroaci, dhe mosvizitën e tij në Kosovë.
“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën”, tha Kurti./Express/