Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Skaner” të gazetarit Gerti Çarçani në MCN Tv, ku ka folur për shumë tema, që nga reformat e reja dhe risitë e këtij edicioni, të futbolli i moshave e ai profesionist.
Kreu i institucionit të futbollit shqiptar i është përgjigjur edhe revoltave e kritikave që ka pasur lidhur me reformën e re në kampionatin e moshave, duke theksuar se askush nuk është cënuar e nuk do të cënohet, por përkundrazi do të sjellë një numër më të lartë futbollistësh dhe rritje të kualitetit.
Më tej, Presidenti Duka është ndalur edhe te miratimi i ligjit të sponsorizimit si edhe te mbështetja e FSHF-së për hapjen e basteve online, që do të sjellë të ardhura për sportin shqiptar.
Numri një i futbollit në vend ka komentuar edhe marrëdhënien me qeverinë shqiptare e Bashkinë e Tiranës, ka shpjeguar gjithashtu dhe projektet e FSHF-së. Ai ka folur edhe kampionatet kombëtare dhe arbitrimin, ndeshjet e ekipit kombëtar dhe trajnerin Reja si edhe zgjedhjet për një mandat të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s e shumë të tjera.
Risitë e edicionit të ri futbollistik – Gjithçka mendoj se është përgatitur mirë për fillimin e sezonit, duke u udhëhequr nga objektivat e strategjisë “Futbolli për Kombin” që ka hartuar FSHF për katër vitet e ardhshme, që e kemi shpallur në shkurt të këtij viti.
Sa i përket futbollit profesionist, ekipeve të “Kategorisë Superiore” dhe Kategorisë së Parë, ndryshimet nuk kanë qenë shumë të mëdha tek ekipet e para. Ndryshimi më esencial ka qenë në futbollin e fëmijëve dhe femrave.
Është riformatuar plotësisht gara, te futbolli i të rinjve, jo vetëm te futbolli profesionist, por edhe tek ai amator, me objektiva të qartë për ta ndarë dhe për të profilizuar më shumë ata që do të merren me futbollin profesionist që janë klubet profesioniste dhe Akademitë profesioniste që janë në Shqipëri.
Revolta? – Pa dyshim që çdo lloj reforme ka diskutime dhe unë jam i sigurt që mund të ketë sërish nevojë për modifikime. Por objektivi është i qartë dhe që është në të mirë të futbollit, është e padiskutueshme.
Gjithashtu, ajo që ka lidhje me futbollin profesionist dhe të rinjve është incentivimi i të rinjve që aktivizohen në Kategorinë e Parë në këtë vit të moshës nga 16-21 vjeç. Federata e Futbollit ka vendosur një buxhet të konsiderueshëm për klubet të cilët aktivizojnë të rinjtë.
Një motiv më shumë për të aktivizuar futbollistë të rinj dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë atyre për zhvillimin e vetë klubeve dhe financave të tyre. Duke i dhënë hapësirë bëhen futbollistë më të mirë dhe duke u transferuar, rregullojnë edhe financat e klubeve.
Sa i përket reformës në futbollin e të rinjve, organizimi i garave, mënyra e lëvizjes së lojtarëve, kompesimi i trajnimit apo mbrojtja e futbollistëve profesionistë për lëvizjen e tyre janë të gjitha të mirëmënduara dhe jam i sigurt që do të bëjnë hapa pozitivë ne vitet e ardhshme. Mbase dikush e keqinterpreton, mbase dikush edhe me dashje.
Askush nuk është cënuar. Akademitë jo vetëm që nuk janë cënuar, por do të shtohen edhe më shumë pasi ekipet profesioniste nuk do kenë një numër të pakufizuar lojtarësh në Kategorinë Superiore apo Kategorinë e Parë, por do kenë vetëm një. Dhe të gjithë fëmijët e tjerë që do luajnë futboll, do të luajnë në Kategorinë e Dytë, të ndarë në grupe.
Askush nuk cënohet, i jepet mundësi që të kemi më shumë futbollistë në bazë sepse në formulën që ishte me gati 50 skuadra në Kategorinë e Parë dhe Kategorinë Superiore ishte e pamundur që të kishte një Kategori të Dytë sepse në çdo qark të Shqipërisë mbeteshin një apo dy skuadra që ishin të destinuara për t’u mbyllur dhe nuk kishte mundësi për skuadra të reja.
Ndërsa tani ka më shumë skuadra që do të luajnë në Kategorinë e Dytë dhe mirëpritet çdo skuadër e re për të luajtur në Kategorinë e Dytë. Kjo reformë, gjithashtu edhe ato që kemi bërë për futbollin e fëmijëve, një projekt tashmë i vjetër “Topi im” që i siguron topat të gjithë fëmijëve, ekipeve profesioniste dhe amatore që luajnë në Shqipëri, por edhe risia e këtij viti që ne do të financojmë edhe të gjitha materialet sportive për çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri, që nga mosha U-7 deri në moshën U-19 besoj që do të japë një incentivë të rëndësishme zhvillimit të futbollit, rritjes së numrit të futbollistëve dhe rritjes së kualitetit.
Reduktimi i skuadrave në Kategorinë Superiore në 10 në të gjithë Shqipërinë jam shumë i sigurt, dhe në kushte kur kërkesat për t’u licencuar klubet janë rritur, pa dyshim që do të sjellë garë më të fortë dhe më shumë kualitet.
Kanë lidhje ndryshimet me zgjedhjet për President? – Nuk ka menduar njeri një gjë të tillë, i vetmi objektiv është zhvillimi i futbollit. të jemi të gjithë në një mendje 100% është e vështirë. E gjithë reforma është diskutuar me të gjithë specialistët e futbollit, janë ngritur komisione dhe është punuar e duhen falenderuar për këtë punë gjatë gjithë verës.
Të gjithë janë dakord, por dikush që mendon se mund të cënohet nga reforma thotë që reforma është e mirë, po sikur të isha edhe unë në këtë nivel. Ne kemi pasur edhe një takim me shoqatat rajonale të Shqipërisë për t’i risqaruar dhe riinformuar edhe njëherë mbi këto ndryshime dhe të mirat që sjell kjo reformë.
Të gjithë ishin të bindur dhe në një mendje që kjo është një reformë pozitive. Besoj se edhe ata pak zëra që kanë qenë kundër, tani kanë nisur të reflektojnë dhe ta kuptojnë që kjo është mënyra më e mirë.
Pse nisi direkt reforma dhe nuk u la kohë? – Nëse do merrnim kohë, siç bëhet me skemat profesioniste, duke reduktuar numrin e skuadrave, 2 më shumë këtë vit e dy më shumë vitin tjetër, do të na merrte minimalisht 10 vite kohë, që specialistët e futbollit dhe unë i konsiderojmë si 10 vite jo të humbural por më me pak zhvillim.
Ky është një operacion i fortë, por i domosdoshëm. Përderisa jemi të gjithë të bindur që kështu duhet dhe kështu mund të ketë zhvillim futbolli, atëherë pse duhet të presim 10 vite?!
Abissnet Superiore – Futbolli profesionist që të rritet akoma edhe më shumë dhe që të kemi më shumë rezultate në Kupat e Europës ka nevojë akoma për më shumë mbështetje dhe financa. Ajo që prodhon vetë Liga, që krijon nga të drejtat e transmetimit, megjithëse këtë vit është një risi që këto të drejta janë dyfishuar apo më shumë.
Janë pak krahasimisht me buxhetet që kërkohen dhe kërkohet mbështetje që ne e kemi kërkuar, një ndryshim ligjor për t’i dhënë frymëmarrje këtij futbolli për të pasur një garë më të mirë dhe më shumë rezultate.
Nuk mund të bëjmë krahasime dhe të themi që edhe në Shqipëri, futbolli të zhvillohet përmes të ardhurave të veta, biletave apo të drejtave sepse nuk janë të gjitha vendet njësoj. Shqipëria është kjo që është, një vend i vogël dhe numri i tifozëve apo edhe ajo që paguajnë tifozët në stadium është shumë i vogël në krahasim me atë që paguajnë vendet e tjera.
Nuk duhet të krahasojmë Shqipërinë me Anglinë, por ta krahasojmë me vendet përreth, si Kosova, Bosnja, Mal i Zi etj, që kanë mbështetje nga shteti apo nga ligjet e sponsorizimit. Gjithsesi, ekipet e bëjnë maksimumin e tyre, por nëse kërkojmë një hap cilësor, nuk do ta kemi nëse nuk do të kemi një shtrat ligjor të përshtatshëm për to.
A janë klubet shqiptare të brishta ekonomikisht? – Janë të gjitha të brishta ekonomikisht, pasi në rastin më të mirë vetëm kur je kampion, mund të mbulosh buxhetin. Por duhen financa më shumë që nuk i prodhon vetë Liga dhe një klub i Superiores. Dhe kjo jo vetem te ne, por te të gjitha vendet përreth.
Kosova ka miratuar një ligj për sponsorizimin, i cili ka çliruar shumë fonde për futbollin në Kosovë dhe Liga e Parë është shitur sepse i favorizon ligji i sponsorizimit. Ndërsa te ne, e vetmja e ardhur që mund të prodhojnë klubet janë komercializimi i të gjitha gjërave që kemi dhe ne besoj se jemi qoftë si Ligë apo si Federatë, të parët që kemi shfrytëzuar çdo financë apo mundësi që na jep gara jonë.
Klubet kanë nevojë të rriten akoma më shumë dhe ne kemi projekte dhe vazhdojmë të kemi projekte të përbashkëta për t’i trajnuar klubet në rritjen e tyre profesionale. Jam i kënaqur për sa janë rritur klubet shqiptare në nivel professional.
Ligji i sponsorizimit dhe hapja e basteve – Kërkesa e futbollit për t’u mbështetur nuk është kërkesë për lëmoshë. Është një e drejtë legjitime dhe nga qeveria është një detyrë legjitime. Ligji i sponsorizimit është një gjë afatgjatë dhe e provuar nga të tjerët. Është një gjë që do t’i jepte një frymëmarrje të rëndësishme.
Kemi kërkuar dhe ‘kopjuar’ ligjin hungarez në nivele shumë të ulëta dhe jo në të njëjtat shifra, që ka dhënë rezultate në Hungari. Qeveria mbase e ka në planet e saj, na është premtuar që do të bëhet, por pa dyshim që do të cënohet edhe pak nga buxheti, pasi nga ky buxhet do të dalë fondi për zhvillimin e sportit, kulturës, etj.
Por, meqë ne kërkojmë ligjin e sponsorizimeve, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të kërkojmë burime të tjera për financimin e sportit. Dhe ajo që nuk duhet keqinterpretuar, kemi kërkuar për baste sportive, që është një aktivitet real, që ekziston në Shqipëri dhe nuk paguan taksa, ose i paguan në duar të paligjshme.
Ne kërkojmë që këto taksa të vijnë në sport dhe në takimin me kryeministrin, ne nuk mendojmë që me këto taksa do të lulëzojë futbolli në Shqipëri, por gjithsesi një ndihmë do të jetë dhe pse mos ta marrim në një kohë që kjo ekziston.
Marrëdhënia FSHF-qeveri-Bashki e Tiranës dhe projekti ‘100 Fushat’ – Futbolli nuk përfiton asgjë nga buxheti i shtetit për sportin, pavarësisht se kemi aplikuar. Gjithsesi nuk mund të mohojmë që në vitet e fundit kemi pasur disa bashkëpunime me qeverinë, për ndërtimin e stadiumit të Kukësit, Elbasanit dhe Shkodrës, që janë bërë shumë të mira duke bërë revolucion në futboll, por nuk mjaftojnë për zhvillimin e futbollit.
Për zhvillimin e futbollit duhen ndërtuar fusha dhe e kam deklaruar edhe në mbledhjen me kryeministrin që paratë e para që do të marrim nga bastet do t’i shfrytëzojmë për të ndërtuar fusha futbolli për fëmijët. Këto fusha duhet të na vihen në dispozicion nga pushtetet vendore dhe nga iniciativat private për të zhvilluar futbollin në Shqipëri.
Në Tiranë kemi më pak fusha futbolli dhe është i vetmi vend që nuk ka ndërtuar asnjë fushë futbolli. Ka ndërtuar kalçeto, kemi ndërtuar edhe ne 50 ose 60 fusha mini-futbolli në Tiranë, por fusha futbolli të përmasave të pranuara nga FIFA, nuk janë ndërtuar.
Tirana duhet të ketë minimalisht 50 fusha futbolli sepse janë rreth 10 mijë futbollistë të vegjël që luajnë në kushte jo të mira. Nuk është kollaj të gjesh hapësira të lira në Tiranë, pasi është metropoli që ndërtimet kushtojnë shumë, të ardhurat nga ndërtimet janë të mëdha dhe Bashkia siguron të ardhura të mëdha nga taksat e ndërtimeve, shumë më shumë nga fushat e futbollit.
Megjithëse nga stadiumi “Air Albania” ka siguruar të ardhura të konsiderueshme duke ia vjelë Federatës në vend që, mendoj se duhet të kontribuonte në ndërtimin e tij. Por është e domosdoshme që të gjejmë hapësira për të zhvilluar futbollin dhe nëse vërtetë e vendos në objektivat e saj, hapësirat gjenden.
Ku jemi me projektin ‘100 Fushat’? – Kemi ezauruar pak. Në Tiranë pothuajse aspak, por në disa zona të tjera të Shqipërisë po. Ne e nisëm këtë projekt për fusha vetëm me bar natyral, por tashmë e kemi bashkëfinancim mes Federatës dhe çdo personi tjetër që dëshiron të bëjë një fushë futbolli. Ne nuk kemi asnjë kriter bllokues, përveç faktit që t’i ekzistojë terreni dhe të financojmë çdo fushë futbolli. Kemi ndërtuar rreth 20 fusha deri tani.
Ekipi Kombëtar dhe sfidat e shtatorit – Kemi dy ndeshje shumë të rëndëishme. Nëse bëjmë rezultat pozitiv, mund të marrim vendin e parë në grup, por edhe të fundit nëse nuk bëjmë mirë. Mundësitë i kemi, megjithëse realiteti është që kemi shumë dëmtime në prag të ndeshjeve.
Kemi humbur të gjithë titullarët e mbrojtjes dhe do të na duhet të luajmë me zgjedhjet e dyta, por niveli është i mirë për të pasur rezultat pozitiv në këto ndeshje. Gjithsesi, duhet të përqëndrohemi tek Izraeli fillimisht, që është një ekip i mirë dhe ka një përbërje të mirë. Por ne kemi disa mungesa dhe nuk e di se si do të jetë Izraeli deri më 24 por të katër rezultatet mbeten të hapura.
“Divorc” me Rejën? – Nuk kam dëshirë që të planifikoj divorc, por të planifikoj suksese dhe uroj që të kemi sukses në këto dy sfida. Pastaj, mendojmë për të ardhmen sigurisht. Kemi edhe disa ndeshje të tjera në tetor dhe nëntor dhe do shohim dhe shortin të eliminatoreve të Europianit më 9 tetor. Trajneri që kemi aktualisht është shumë i mirë, një ekspert shumë i mirë, me eksperiencë të jashtëzakonshme.
Një njeri pozitiv që nuk sheh vetëm ekipin e parë, por zhvillimin e futbollit shqiptar. Një njeri që ka marrëdhënie të mira me grupin, ka pasur dhe gabime, por nuk ka trajner që nuk bën gabime. Dhe vetë çdo trajner pas ndeshjes i di gabimet e veta pas ndeshjes, por nuk kthehet për t’i korigjuar.
Ka bërë shumë mirë, rezultate pozitive, 18 pikë në eliminatoret e Botërorit, si asnjëherë tjetër Shqipëria duke u renditur e treta. Zumë vendin e parë në Nations League, duke u ngjitur në grupin B, ku nuk luan asnjë prej fqinjëve tanë, qoftë edhe Greqia.
Është pretendent për të marrë vendin e parë në grup dhe ka bërë mirë në përgjithësi. Por pas përfundimit të kontratës do të shohim nëse do të vazhdojmë apo jo. Shqipëria duhet ta konsiderojë veten luks që ka një trajner si Edi Reja.
Një trajner shqiptar për Shqipërinë? – Na duhet një trajner i mirë. Trajnerët shqiptarë kanë nisur të lëvizin dhe jashtë Shqipërisë, por edhe futbollistët e ekipit kombëtar që kanë luajtur jashtë e kanë nisur trajningun. Një ndërthurje eksperiencash dhe kulturash mund të jetë.
Arbitrimi në Shqipëri – Opinioni në vend sheh vetëm nivelin e lartë professional, Kategorinë Superiore apo Kategorinë e Parë, por luhet shumë futboll në Shqipëri dhe në fakt duhen parë të gjithë komponentët që sjellin zhvillimin.
Ne pa dyshim që bëjmë kujdes për shkollën e futbollit që përgatit trajnerë, menaxherë, drejtorë sportivë e arbitra dhe i japim një rëndësi shumë të lartë edhe rekrutimit. Nuk është e lehtë të rekrutosh arbitra dhe për këtë kemi hapur edhe Akademinë e Arbitrimit.
Janë disa shkallë që duhen kaluar për t’u bërë një arbitër profesionist. Kemi bërë hapa pozitivë, kemi një ‘armatë’ që merret me përgatitjen dhe trajnimin e tyre, kontrollin apo përmirësimin e tyre. Sigurisht që ka gabime në gjykim, por nëse do të merrja një peshore mbase arbitrat janë më përpara se futbollistët.
Përfshirja e sistemit VAR në Kategorinë e Parë – Ne kemi investuar shumë për arbitrat dhe kemi investuar edhe për sistemin VAR. Nuk është e lehtë që ky sistem të përfshihet edhe te Kategoria e Parë.
Projekt për stadiumin e radhës? – Kemi stadiume të mira, ku zhvillojmë ndeshjet e kampionatit. Nevoja jonë është ndërtimi i fushave për fëmijë. Por mund të rinovojmë edhe ndonjë stadium tjetër dhe aktualisht kemi dhënë fonde për të rinovuar stadiumin e Korçës, kemi akorduar një fond për rinovimin e stadiumit të Lezhës, edhe pse nuk është filluar. Përkrahim projekte të kubeve të ndryshme. Për momentin jemi të fokusuar te ndërtimi i fushave.
Marrëdhënia me shtetin – Me Ministrinë e Arsimit jemi në sinfoni të plotë (përveç akordimit të buxhetit), na mbështet në të gjitha gjërat tona, na përgjigjet me profesionalizëm dhe kemi nota pozitive. Komunikimi me kryministrin vazhdon, ka qenë edhe publik takimi i fundit, por edhe për projekte të tjera.
Ardhja e Presidentit të FIFA-s në Shqipëri – Presidenti Infantino ka dërguar një shkresë zyrtare që do të vizitojë Shqipërinë në shtator ose tetor, nuk kemi fiksuar një datë fikse. Pa dyshim që kur Infantino të vijë në Tiranë për të inaguruar “Shtëpinë e Futbollit” bashkë me mini-stadiumet dhe mund të kemi edhe takim me kryeministrin nëse do të jetë mundësia.
A do ta pranojmë arbitrazhin sportiv shqiptar? – Pa dyshim dhe FSHF është i vetmi institucion në Shqipëri që ka bërë me shpenzimet e veta workshop se si duhet ndërtuar me arbitrat më të mirë të Europës. I kemi sjellë dy herë në Tiranë për të diskutuar se si duhet bërë një arbitrazh sportiv në një vend si ne. Mendoj dhe them se duhet që Shqipëria të ketë një Arbitrazh Sportiv, por të ndërtuar mbi baza të shëndosha, të rregullta, që t’i shërbejnë sportit dhe jo individit.
Ne kemi tentuar të japim idetë tona në Asamblenë e KOKSH, pavarësisht se jemi përjashtuar dy herë, kemi tentuar të japim mendimet tona. Ne do insistojmë sërish nëpërmjet ekspertëve. Nuk kanë pranuar të dëgjohen. Uroj që mos të bëjnë një arbitrazh për gjueti shtrigash, por mënyra si po e bëjnë duket si i tillë.
Ne e kemi në statutin e FSHF dhe FIFA ka kërkuar të njëjtën gjë, që të zgjedhim si arbitrazh atë që ne besojmë, atë që palët besojnë. Nëse palët nuk i besojnë, ajo nuk mund të jetë e detyrueshme për një insitutcion. Për sa kohë nuk ekziston një arbitrazh i tillë, ne do vazhdojmë të zgjedhim si shkallë ankimi të njëjtin arbitrazh që kemi zgjedhur deri tani.
Zgjedhjet e ardhshme për Anëtar të Komitetit Ekzekutiv në UEFA, kërkoni mandatin e dytë? – Në mars 2023 do të jenë zgjedhjet dhe unë do të jem një nga kandidatët për anëtar Komiteti Ekzekutiv.
Projekti “Uniforma ime” në Tiranë – Deri tani është prezantuar se si do të funnksionojë, ndërsa tani jemi përpara faktit se kamionët kanë ardhur me bazën materiale dhe do të nisë shpërndarja. Do të jetë një ditë feste për fillimin e edicionit për futbollin e fëmijëve dhe të këtij projekti kaq të madh.