MENU
klinika

Rritja e çmimeve nuk ndalet!

Inflacioni, në nivelin më të lartë që nga koha e piramidave

08.09.2022 - 16:54

Çmimet në vend vetëm vazhdojnë të rriten, të ndikuara nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe i karburanteve. INSTAT njoftoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2022 është 8,0%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 2,4%.

Ky është një rekord i ri i dy dekadave të fundit dhe është niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 1998, periudhë kur vendi ende vuante pasojat që solli në ekonomi kriza e piramidave.

Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë në ekonomi, duke e çuar nga minimum historik prej 0.5% në 1.75% në fillim të gushtit, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi gjatë vendimit të fundit se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta se vlerësimet e mëparshme. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë e të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Në eurozonë, në gusht inflacioni arriti në nivel rekord prej 9.1%. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet.

Të dhëna të tjera të INSTAT të publikuara dje bënë të ditur se indeksi i çmimeve të prodhimit, ndërtimit dhe importit shënoi rritje në tremujorin e dytë 2022, në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Shtrenjtimi i kostove të biznesit transferohet të produktet që ata shesin te konsumatorët fundorë.

Rritja e çmimeve u udhëhoq nga ushqimet

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,88 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,62 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,35 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,30 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,02 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Gusht 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 19,3%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,2% secili, “Argëtim dhe kulturë” me 5,2%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,2 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,9% secili, “Komunikimi” me 0,9%, “Shërbimi arsimor” me 0,7% dhe “Shëndeti” me 0,6%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 28,8%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 22,3%, “bukë dhe drithra” me 20,4%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 15,6%, “peshk” 13,7%, “mish” me 11,2%, “zarzavate përfshirë patatet” me 8,6%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Korrik 2022, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 5,5%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi” me 0,2% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2%./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Masat që duhen marrë për rimëkëmbje

FMN vlerëson masat, por jep edhe ‘detyra shtëpie’

Sejko: Inflacioni në vend do të mbetet i lartë

Kriza e çmimeve/ BSH nuk ndryshon politikën monetare


Cilat kompani do të largojnë mijëra punëtorë?

Sektori i industrisë gjermane, më i prekuri nga kriza!

Më të paguarit, sektori financiar dhe…

Sa kushton një orë pune në Shqipëri?

Sa do të jenë vlerat për çdo sistem të miratuar

Vendimi/ Qeveria financon familjet për ngrohjen!