MENU
klinika

"Rrumbullake"!

Udhëtimi i Parë rreth Botës

11.09.2022 - 08:01

         Viti 2022 shënon 500-vjetorin e udhëtimit rreth botës, të Magelanit dhe Elcanos – një momenti të rëndësishëm në histori, sepse tregoi se bota është e rrumbullakët.

Dy vjet e njëmbëdhjetë muaj dhe dy javë udhëtoi anija “Victoria” e ngarkuar nga mbretëria spanjolle. Anija ishte një nga pesë anijet me të cilën kapiteni Fernão de Magalhães, i njohur sot si Ferdinand Magelan, filloi në shtator të 1519 udhëtimin duke u nisur nga Sanlucar de Barrameda e Spanjës. Misioni i Magelanit ishte të gjente rrugët që kalonin nga brigjet perëndimore drejt ishujve indoneziane Molukken, për të marrë karafilë, arrëmyshqe dhe piper, erëza të shtrenjta në atë kohë. Magelani nuk jetonte më kur anija u kthye më 1522, po ashtu si pjesa më e madhe e ekuipazhit prej 244 vetësh. Megjithatë, edhe sot ai shihet si pionier i udhëtimeve rreth botës.


Luftarak i sprovuar dhe karizmatik

Magelani, i lindur në veri të Portugalisë më 1480, ishte katolik dhe bënte pjesë në klasën e ulët aristokratike. Që në moshë të re ai e tregoi veten të sprovuar për misionet ushtarake. Me flotën portugeze të erëzave dhe flotën luftarake ai mbërriti në Indi dhe në gadishullin malajzian për herë të parë. Tetë vjetë me radhë ai luftoi në betejat koloniale të Azisë dhe Afrikës së Veriut.

Pas vitit 1517, Ferdinand Magelani, i zemëruar me mbretin e tij portugez lundroi nën flamurin spanjoll. Urdhërat tani ai i merrte nga Mbreti Karl I, i njohur më vonë si Karl V., Perandor i mbretërisë së shenjtë romake. “Teologu dhe shkrimtari spanjoll, Bartolomé de Las Casas e përshkruan Magelanin si trupshkurtër dhe njeri që nuk binte në sy”, thotë për Deutsche Welle-n historian Christian Jostmann. Por, ai zotëronte karizmë të jashtëzakonshme: “Kur vinte puna ai ishte shitës i mrekullueshëm dhe aktor, që ishte në gjendje të bindte të tjerët me idetë dhe synimet e tij të mëdha.” Nuk është pra çudi që marinari ishte në gjendje të bindte mbretin spanjoll që t’i financonte udhëtimin për në Molukken.

Një “mision vetëvrasës”

“Të pasurohej, të krijonte koloni spanjolle, të kristianizonte dhe të kalonte në shtresat e larta, me këto synime doli Magelani në det,” thotë historiani Christoph Jostmann. Në librin e tij “Magelani: ose Udhëtimi i parë rreth botës” ai përshkruan në mënyrë plot gjallëri se si e përjetuan nismëtari dhe bashkëudhëtarët e tjerë udhëtimin e parë rreth botës me stuhira, mungesë erërash, uri, etje, sëmundje, revolta në bord dhe konflikte vdekjeprurëse me popujt indogjenë. “Kjo nuk kishte të bënte me romancën detare,” thotë Jostmann: “Ata jetuan me rreth 50 vetë për muaj të tërë në një holzbotiç, që kishte mbase sipërfaqe përdorimi prej 150 metra katrorësh, që nuk kishte objekte sanitare, nuk kishte kuzhinë dhe sferë private. Ushqimi ishte i thjeshtë, kujdes shëndetësor nuk kishte dhe pasiguria ishte aq e madhe saqë misioni dukej vetëvrasës.”

Flota lundroi fillimisht në ishujt Kanare, pastaj përgjatë bregdetit afrikan deri në Sierra Leone. Në ngushticë ata kapërcyen Atlantikun dhe mbërritën në kontinentin amerikano – jugor, aty ku sot ndodhet Rio de Zhaneiro.

Më tej, lunduan përgjatë bregut lindor amerikano-jugor. Një mision i vështirë: flotës iu desh të kalonte dimrin, furnizimi u bë gjithnjë e më i vështirë, atmosfera në bord gjithnjë e më e rëndë. Revoltat nuk munguan.

Rruga detare drejt Perëndimit

Magelani vazhdoi të këmbëngulte: më 21 tetor 1520 ai zbuloi një kep dhe lundroi midis cepit jugor të kontinentit amerikano-jugor dhe ishullit Feuerland në një labirinth të ndërthurur rrugësh ujore. Anija e parë humbi, një anije tjetër shfrytëzoi paqartësinë e shikimit për t‘u kthyer mbrapsht në Spanjë. Por Magelani e gjeti më në fund vendkalimin e shumëkërkuar: një ngushticë detare që mezi duket dhe derdhet nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor, i njohur sot si rruga e Magelanit. Gjashtë javë iu deshën Armadës së reduktuar, për të arritur në Oqeanin Paqësor.

Nga juglindja e Oqeanit të Qetë lundrimi vazhdoi tre muaj e gjysmë përgjatë një harku në drejtim të veriperëndimit, gjatë të cilit ata nuk hasën asnjë ishull të banuar. Uria, etja dhe sëmundjet i morën jetën 19 vetëve, para se anijet të furnizoheshin në një nga ishujt Marianen.

Më në fund, ekuipazhi me 150 marinarët e mbetur mbërriti më 21 mars 1521 në Filipine, duke qenë europianët e parë që shkelnin atje, për Magelanin ky ishte stacioni i fundit i udhëtimit. Ai donte të pushtonte ishujt e pasur për t’i kthyer në pronë spanjolle, duke u bërë mbase më vonë vetë guvernator i tyre. Por kur Magelani u përpoq të merrte me luftë një fshat, një shigjetë me helm e qëlloi për vdekje dhe i mori jetën më 27 prill. Anijet e mbetura dolën me nxitim në lundrim në det.

Përfundimi i udhëtimit rreth botës

Të komanduar nga Juan Sebastián Elcano, dy anijet lundruan nga Filipinet në ishujt e erëzave. Atje ata morën mallrat e dëshiruara. Elcano zgjodhi për kthim rrugën e rrezikshme rreth Kepit të Shpresës së Mirë, anija e dytë që kish mbetur humbi rrugës. Gati tre vjet pas largimit të Armadës nga Molukken, Elcano përfundoi me sukses udhëtimin rreth botës, të filluar nga Magelani, por të paplanifikuar nga ai.

“Victoria” mbërriti më 6 shtator 1522 portin spanjoll “Sanlúcar de Barrameda”, prej nga ishte nisur. Gati 20 marinarët që mbijetuan udhëtimin, u bënë të famshëm për lundrimin e parë historik rreth botës, që dëshmoi njëkohësisht se bota është e rrumbullakët. Rruga perëndimore mban që nga ajo kohë emrin e marinarit portugez: Rruga e Magelanit.

 

Klaus Krämer, Stefan Dege/DW

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen