Një fundjavë për t’u harruar ajo që kaloi për pilotin Alexander Albon, që garon në Formula 1 me Williams. Mesnatën e së premtes ai pati probleme me apendisitin dhe u operua ditën e shtunë, duke mos garuar në pistën e Monza.
Gjithsesi, problemet për pilotin britanik nuk përfunduan këtu. Ai ka përfunduar në terapinë intensive i intubuar, për shkak të një komplikacioni që pati pas operacionit. Sipas mjekëve, Albon kishte vështirësi me frymëmarrjen.
Sipas skuadrës Williams, një situatë disi problematike, por masa e marrë ishte paraprake, për të evituar më të keqen. Ai qëndroi në terapi intensive vetëm 24 orë dhe aktualisht ndodhet sërish në pavion.
Pritet që piloti të lërë spitalin brenda 48 orëve, por nuk dihet nëse do të garojë në pistën e Singaporit pas 10 ditësh. Ai nuk mori pjesë në garën e Monza dhe u zëvendësuar nga holandezi Nyck De Vries.