Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi masën “arrest Shtëpie” për dy ish-zv.drejtorët e policisë, Albert Nushin dhe Nikollaq Pallën.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe ishin të pranishëm në momentin kur u vra Pjerin Xhuvani pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Avokatët e tyre kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë pasi sipas tyre nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave, largimit të tyre nga vendi si edhe për shkak të kushteve ekonomiko-familjare.
E gjithë ngjarja, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë, është parë nga dy zyrtarët e lartë të policisë.
Një nga grupet që u përplasën me armë në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve te 25 prillit 2021, i kanë vënë fillimisht pistoletën në kokë nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit për Rendin, Nikollaq Palla.
Këtë veprim e kanë parë të gjithë policët që ishin prezent në ngjarje dhe asnjëri prej tyre nuk ka reaguar. Edhe në dëshminë e tij Nikollaq Palla nuk e ka treguar këtë fakt dhe akuzohet për deklarim të rremë dhe shpërdorim detyre.