MENU
klinika

Boksieri ukrainas

Usyk ngre flamurin në shtëpinë e shkatërruar nga rusët

14.09.2022 - 11:53

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, kampion bote në peshën e rëndë, është rikthyer në vendlindjen e tij, në Vorzel. Ai u largua në prill nga Ukraina për t’u përgatitur për revanshin ndaj Anthony Joshua, sfidë që e fitoi me vendim jo-unanim të gjyqtarëve.

Gjithsesi, ai mbrojti titujt kampionë bote. Rikthimi në shtëpinë e tij nuk ka qenë shumë i këndshëm, pasi Usyk e ka gjetur shtëpinë e tij thuajse të shkatërruar nga sulmet e ushtrisë ruse.

Postimet në rrjetet sociale nga bashkëshortja e boksierit, Katerina, tregojnë shtëpinë e çiftit ukrainas të dëmtuar nga rusët. Gjithsesi, ata shprehen të lumtur që janë sërish në shtëpinë e tyre, duke deklaruar se tashmë ajo është në duart e pronarit. Oborri i jashtëm duket krejtësisht i dëmtuar, pasi është përdorur si bazë nga ushtria, ndërkohë që në mure është shkruar gërma “Z”.

“Ushtria ruse ka ardhur në kopshtin e shtëpisë time dhe kanë shkatërruar gjithçka. Kafshët!”, – ka komentuar bashkëshortja e Usyk. Ndërkohë që, vetë boksieri, ka postuar më pas një foto në derën e jashtme të vilës së tij, me flamurin e Ukrainës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN