Erzeni nuk ndal mrekullitë në këtë sezon në Superiore. Skuadra shijakase ka mundur sot në frymën e fundit Laçin me rezultatin 1-0 dhe ka marrë u vetëm kreun e renditjes.
Sfida ka qenë shumë e luftuar dhe në pjesën e parë, u mbyll mes polemikash pasi kishte tre pretendime për penallti që u refuzuan nga gjyqtari Meta, i cili anuloi me ndihmën e VAR-it edhe një gol të kurbinasve.
Por ishte skuadra shijakase ajo e cila kërkoi me ngulm golin gjatë gjithë duelit, duke vënë në vështirësi disa herë kurbinasit dhe duke tentuar portën me Kadriun, Nonaton e Alan.
Por për ta zgjidhur ndeshjen u desh një penallti e minutës së fundit shtesë kur Dajsinani rrëzoi Nonaton në zonë. Kahrimanoviç nuk gaboi duke i dhënë Erzenit fitoren e parë historike ndaj Laçit, por edhe për herë të parë kreun në renditjen e Superiores.
Nëse shijakasit janë në festë, vazhdon kriza e kurbinasve ku pankina e Vukiçeviç tashmë rrezikon seriozisht të jetë ajo e radhës që ndryshon. Sfida tjetër e ditës së sotme mes Bylis dhe Egnatias përfundoi në barazim pa gola.