Zyra e Prokurorit në Beograd tha se do të bëjë gjithçka që të identifikojë dhe ndjekë penalisht ata që shkaktuan dhunë gjatë marshimit të EuroPride.
Në deklaratë, thuhej se autoritetet e drejtësisë do të punojnë me Ministrinë e Brendshme për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit për dhunën, dhe disa prej të tyre u cilësuan si “huliganë”.
Më 13 shtator, ministria e Brendshme serbe njoftoi zyrtarisht se do të ndalonte mbajtjen e javës së Europride.
Arsyeja e ndalesës u tha se ishte për shkak të “rrezikut nga dhuna, shkatërrimit të pronës dhe formave të tjera të prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë”.
Por, aktivistët e komunitetit LGBT, marshuan në rrugët e Beogradit, ku morën pjesë 1.000 aktivistë dhe rreth 6.000 policë u dislokuan për të mbajtur rendin.
Gjatë marshimit, policia u përlesh me grupet e djathta, që kishin dalë për të kundërshtuar marshin.