Arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin me 6 të plagosur te “Kryqëzimi i Treshit” në Lezhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:00, në rrugën interurbane dytësore Milot-Lezhë.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet K.B., 36 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K.B. 36 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim mjeti në mënyrë parregullt”.
Me datë 23.09.2022, rreth orës 00:00, duke drejtuar automjetin e tij, në rrugën interurbane dytësore Milot – Lezhë, konkretisht në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Treshit”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përfshirë në aksident me një mjet tjetër.
Për pasojë është lënduar vetë shtetasi K.B., drejtuesi i mjetit tjetër shtetasi A.Sh. 36 vjeç, banues në Tiranë, si dhe pasagjerët në mjetin e shtetasit A.Sh., konkretisht K.M. 20 vjeçe, banuese Lezhë, E.T. 19 vjeçe, banuese në Vlorë dhe një fëmijë i mitur 2 vjeç, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime mëtejshme.