Atleti kenian Eliud Kipchoge ka vendosur sot rekord të ri botëror në garën e maratonës, të zhvilluar në Berlin (Gjermani). Në moshën 37-vjeçare, ai tregon se është i pathyeshëm, duke vendosur rekord të ri, me kohën 2h 01’ 09”.
Kipchoge përmirësoi me 30 sekonda kohën e mëparshme (2h 01’ 39”) që mbahej po prej tij, vendosur në vitin 2018, po në Berlin. Duket se ky qytet dhe kjo maratonë i sjell fat atletit kenian. Kjo është fitorja e 15-të e tij në 17 maratona ku ka marrë pjesë.
Për Kipchoge ky është suksesi i katërt në Berlin, duke barazuar rekordin e 4 fitoreve në këtë maratonë një tjetër legjende, Haile Gebrselassie. Atleti kenian është fitues i dy medaljeve olimpike në këtë disiplinë. I dyti u rendit Mark Korir dhe i treti Tady Abate.