Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi se Serbia nuk mund të pranojë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës.
Ai në konferencën për media, më 25 shtator, deklaroi se kjo do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
“Kjo do të ishte krejtësisht në kundërshtim me politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit dhe përkushtimit ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve”, tha Selakoviq.
Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.
Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shefi i diplomacisë serbe, tha po ashtu se në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 23 shtator, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin për Konsultime për dy vitet e ardhshme. Ai tha se dokumenti është “çështje teknike” dhe se është nënshkruar që nga viti 1996.
“Bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe dhe aktivitet shumëpalësh. Qeveria ka mundur ta refuzojë një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të dhe është kritikuar nga ata që as nuk e kanë parë”, tha Selakoviq.
Më 23 shtator, ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë publikoi në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.
FM #Selakovic and FM #Lavrov of @mfa_russia
signed in New York, at #UNGA77 margins, the Plan of Consultations Between the MFA of Serbia and the MFA of Russia for 2023-2024. pic.twitter.com/340ou62Bdu— MFA Serbia 🇷🇸 (@MFASerbia) September 23, 2022
Nga video mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në OKB.
Ky është dokumenti i parë diplomatik i nivelit të lartë që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës.
Për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.
Autoritetet serbe votuan për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, Serbia edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka shkruar në Twitter se lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes e sheh si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Kramon, vlerësoi se ky mund të jetë sinjal për ngrirjen e negociatave për anëtarësim në BE, sepse sipas saj, hyrja në bllok nuk bëhet përmes Moskës.
Serbia është shtet që varet nga gazi rus dhe sondazhet tregojnë mbështetje të madhe të popullsisë serbe për Rusinë, pavarësisht faktit se ndihmën më të madhe ky shtet e pranon nga Perëndimi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ Marrë nga REL